Dy keqkuptimet e mëdha për dialogun

20.12.2018 17:15:40

Për ne, pa njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë Marrëveshje. Por për ta bërë atë, do të përballemi me negociata të rënda, për të cilat duhet të jemi të përgatitur.

Politika kosovare në masë të madhe, në mos edhe tërësisht, në rrethanat aktuale, mbizotërohet nga spekulimet, thashethemet, injoranca dhe aroganca  (këto të dy tipare rëndom shkojnë së bashku), nga supozimet që nuk bazohen në asnjë analizë serioze, nga mburrja e tejkaluar për decenie me radhë që të gjitha kryeqendrat perëndimore dhe udhëheqësitë e tyre, temën e Kosovës e trajtojnë në çdo mëngjes, si prioritetin e tyre kryesor ndërkombëtarë.

Gjithsesi, kjo politikë gjithashtu veçohet me përplasjet e vazhdueshme individuale, me mungesën e një debati cilësor për çkadoqoftë, me një parlamentarizëm të kthyer në një garë të pafundme për t’i marrë ‘pëlqimet’ nga qytetarët e rëndomtë.

Në këtë ambient të çrregulluar dhe të çoroditur politik, nuk është befasi që nuk po arrijmë ta gjejmë veten dhe të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë në fazën e synuar finale të dialogut të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, sidoqoftë, fundjava e shkuar solli një lajm të mirë në trajtë të votimit të Draft-Rezolutës për dialog në Kuvendin e Kosovës, dhe të krijimit të Delegacionit shtetëror për këtë dialog.

Por, megjithatë, tutje ka dyshime të mëdha se çka do të duhet të bëjmë tash e tutje në adresimin e temës së dialogut.

Mbase, dy dyshimet më të mëdha që mund të specifikohen këtu, janë këto:

Ai i pari, ende shquhet me hamendësime se a duhet fare të na ngutet neve për ta arritë Marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Ndërsa ai i dyti, karakterizohet me një keqkuptim të madh të vetë natyrës së këtij procesi i cili gjithqysh është i rëndë, i vështirë, i mundimshëm.

Sa i përket çështjes së parë, këtu përballemi menjëherë me një paradoks.

Thuaja të gjithë në këtë politikën kosovare pajtohemi që shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, mbase, në të gjitha dimensionet e saja, ka ngecë, apo po vendnumëron. Po që se këtu i lëmë mënjanë ato ‘instant-emocionet’ (në atë stilin ‘tre në një’), të cilat na gufojnë shumë shpejt, të gjithë ne mund të veçojmë problemet që njëmend janë ‘prodhim vendor’, e që reflektojnë cilësinë e dobët politike në vend dhe mangësitë e shumta në funksionimin e pushtetit kosovar, por edhe ato problemet që do të na rrinin ‘mbi kokë’, edhe po që se ne do të funksionimin si Gjermania, Zvicra dhe Suedia.

Thjeshtë, për shkaqe fort mirë të njohura për të gjithë ne, shteti i Kosovës ende nuk ka siguruar stabilitetin afatgjatë, sepse akoma nuk është bërë shtet anëtar i OKB-së, dhe po ashtu, nuk ka gjasa që ta përshpejtojë rrugëtimin e vet kah Aleanca Veri-Atlantike dhe BE-ja, për shkak të pesëshes që nuk ka njohur pavarësinë.

Nuk na pëlqen fare neve që është kështu puna, dhe për më shumë, as që meritojmë të kemi telashe të tilla por ja që realiteti na tregon që për t’i tejkaluar pengesat e njohura drejt New Yorkut dhe Brukselit, duhet ta bëjmë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Vendnumërimi i Kosovës është i rrezikshëm për ne. Status Quo nuk mund të na sjellë gjë të mirë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë fare që edhe po që se ne do të organizohemi në mënyrën më të mirë të mundshme, do të bëhet Marrëveshja me Serbinë. Por së paku, do të mund ta ri-kthenim atë skemën e njohur nga Konferenca e Rambouilletit dhe nga Procesi i Vjenës, kur dihej fare mirë se cila palë është përgjegjëse për dështimin e bisedimeve. Aktualisht, gishti tregues ndërkombëtarë na është drejtuar neve.

Çështja e dytë është edhe më e thjeshtë se e para.

Rrethanat politike me të cilat ballafaqohemi tash e sa kohë, kanë imponuar një konkludim të çuditshëm, krejtësisht të paqëndrueshëm, sipas të të cilit, në këtë ndërmarrjen e bisedimeve me përfaqësuesit e Serbisë, krejt çka ka mbetur pa u bë është që ne të merremi vesh se çka duam në të vërtetë të arrijmë në Bruksel, dhe si do ta bëjnë një konsensus sa më të gjerë të mundshëm politik.

Thënë edhe më qartë: Ne duhet të dakordohemi që Serbia duhet të na njeh si shtet, sepse diçka e tillë është e arsyeshme, e drejtë, e kuptueshme, është kusht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, ndërsa të tjerat do të vijnë ashtu së shpejti, apo, instancat më të larta të Beogradit tashmë janë në pritje, me laps në dorë për ta nënshkruar Marrëveshjen.

Nuk ka dyshim që për ne, nëse nuk ka njohje reciproke në mes të dy shteteve, nuk do të ketë Marrëveshje. Por për ta bërë atë, me siguri që do të përballemi me negociata të vështira, për të cilat duhet të jemi të përgatitur.