Dy poezi nga Mimoza Çobo

03.01.2019 01:07:08

KURRË ,MOS MË THUAJ NESËR!

Kurrë,mos më thuaj,do të puth nesër, 
ndoshta nesër,as unë më s’do të jem,
nesër ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash që krikëllijnë me ujem!

Kurrë,mos thuaj,do të vë zemrës nesër,
kur sot më ke pranë,djegur nga malli,
ndoshta nesër,dëshira zgjohet e verbër,
duke thërrmuar,cdo ndjenjë kristali.

Kurrë ,mos më thuaj ,do të puth nesër,
kur agut të shkreptije rrezja e parë!
Ndoshta dielli nesër,dergjet ndër shtretër,
piskama dhimbjesh rrëzon nga lart.

Kurrë,mos thuaj,do të mbaj gjirit nesër!
Kur dua të fle e të zgjohem mbi të,
natyrshëm të vdes e të rilind grua tjetër,
ndaj fjalën nesër,s’dua ta dëgjoj më!

Kurrë,mos thuaj,do ngjizim dashurinë nesër,
kur hëna sipër mitrës imazh të bjerë!
Nëse hëna nesër është një gënjeshtër,
embrioni dashurisë,s’mbinë asnjëherë!

Kurrë,mos më thuaj,do të puth nesër, 
ndoshta nesër,as unë më s’do të jem,
nesër ndoshta është një gënjeshtër,
ditë korbash që krikëllijnë me ujem!

KUJDES ME MUA,GRUAN-BLETË!

Kujdes me mua i dashur,oh,të lutem kujdes,
mos fry si veriu,nëse befas bëhem vesë,
merrmë me mollëza e mbillmë në buzë,
kur të kesh etje,thithmë me gjuhë!…

Kujdes me mua,kur arratisem nëpër natë,
mos u bëj furtunë e mos më mbaj inat,
nëse,si Melisa e lashtësisë kthehem në bletë,
kujdes i dashur,krahët e mia thyhen lehtë!

Se jam stërgjyshja e bletëve nëpër lëndina,
fryma e shenjtë,ku pjalmohet trëndelina,
jam nxitësja e florës,në shumimin hyjnor,
nimfa-bletë ,që i jap jetë truallit arbëror.

Sipas Ajnshtajnit,pa bletën globi s’do kishte jetë,
pa mua,gruan-bletë,bota do ishte e shkretë.
Kujdesu për mua,kujdesu për bletën mbretëreshë,
hiret e mia spërkati me vesë dhe jo me rrebesh!

Nuk nëmem unë,gruaja-bletë,është mëkat i madh,
thithe mjaltin tim,nëse shpirtin e ke të bardhë,
nëse helmon krojet e mia,dije një ditë do vdes,
Melisa brenda meje,s’do të ketë më shpresë.