Dy shitësit e fidanëve të infektuar me koronavirus kanë qenë në ndalim 48-orësh në Gjakovë

06.04.2020 17:57:53

Dy shitësit e fidanëve të pemëve nga komuna e Malishevës, të cilët janë infektuar me Covid-19, të premten që shkoi janë arrestuar nga Policia rajonale e Gjakovës.

Ata ishin arrestuar për mospërfilljen e dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë dhe të njëjtit kanë qëndruar në mbajtje për 48 orë, në bazë të urdhrit të Prokurorit të Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë rajonale të Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

“Të dyshuarit me datë 3 prill janë ndaluar, pasi që janë hasur në Krushë të Madhe të Rahovecit duke shitur fidanë të pemëve përkatësisht për mospërfilljen e dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë. Është bërë dezinfektimi i hapësirave në Stacionin Policor të Gjakovës, ku kanë qenë në mbajtje këta dy persona”, ka thënë Xhurkaj.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, sot ka njoftuar se dy shitës të fidanëve nga Malisheva kanë rezultuar pozitivë për koronavirus.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë personat që kanë blerë fidanë dhe kanë pasur kontakt me ta, të lajmërohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare