Dy të rinj serbë rrahin me shkopinj druri shqiptarin nga Kroi i Vitakut

22.02.2017 15:58:36

Është sulmuar fizikisht nga dy të rinj serb, të martën rreth orës 16:00, banori i “Kroit të Vitakut”, Sadat Habib Rama. Ai ishte qëlluar me shkopinj prej druri disa herë në gjoks dhe pjesët tjera të trupit përderisa ka mbetur i alivanosur në rrugë.

Kështu thuhet në një njoftim të dërguar nga Hysni Syla, zëdhënës i Komunës së Mitrovicës.

Sipas njoftimit, viktima Sadat Rama, i cili rastin e ka paraqitur në stacionin verior të policisë, kishte ardhur në komunën e Mitrovicës Jugore për të njoftuar drejtuesit e komunës, me ç’rast edhe është pritur nga nënkryetari Faruk Mujka.

Rama i ka thënë nënkryetarit Mujka, se ngjarja ka ndodhur në hyrje të lagjes veriore “Lugina e Doktorëve”, para ndërtesës së ngritur nga Qeveria e Serbisë për të akomoduar serbët e ardhur nga Kroacia dhe të tjerët, në hyrje të lagjes së lartpërmendur.

“Isha duke u kthyer në shtëpi rrugës që kalon nëpër “Luginën e Doktorëve”, kur papritmas më janë ofruar dy të rinj që flisnin serbisht dhe kanë filluar së pari të shajnë e pastaj të më qëllojnë me shkopinj prej druri nëpër tërë trupin. Më kanë goditur përderisa jam rrëzuar në tokë dhe jam alivanosur, duke mbetur aty për disa minuta i shtrirë, pa më ofruar askush ndihmë”, citohet të ketë thënë ai.

Viktima Rama ka bërë të ditur se ka kërkuar ndihmën e mjekut në QKMF-në në pjesën jugore të qytetit, ku ai ka konstatuar lëndimet serioze trupore.

Sipas njoftimit, incidentin ndëretnik që ka ndodhur pas një kohe bukur të gjatë, e kanë dënuar ashpër kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari, Faruk Mujka.

Kryetari Bahtiri ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejtë dhe që sulmuesit të kapen e të qiten para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.