Dy ushtarë rusë janë vrarë në Siri

11.04.2017 13:50:45
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dy ushtarë të saj janë vrarë nga një sulm me mortajë në Siri, ndërkaq një ushtar tjetër është plagosur rëndë, kanë raportuar agjencitë e lajmeve ruse.

“Ushtarët rusë të cilët ishin në një njësi të forcave siriane si instruktorë… janë sulmuar me një mortajë nga një grup rebelësh”, citohet të ketë thënë kjo ministri.

“Si pasojë e shpërthimit të mortajës, dy shërbyes rusë janë vrarë”, thuhet në njoftimin e ministrisë, ku thuhet se edhe një shërbyes tjetër rus është duke marrë trajtim mjekësor.

Megjithatë, në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes nuk tregohet se në çfarë vendi në Siri ka ndodhur sulmi.