Dybala është Messi i ri, kushton 150 milionë euro

17.02.2017 15:59:59

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, mendon Paulo Dybala ka gjithçka për të ndjekur hapat e yllit të Barcelonës, Lionel Messi. Madje, ai beson se sulmuesi i Juventusit është me vlerën e 150 milionë eurove. Zamparini e solli Dybala në Itali në vitin 2012, teksa argjentinasi u bë një figurë kyçe te Palermo, para se të bëjë lëvizjen 40 milionë euroshe drejt bardhezinjve të Torinos në vitin 2015.

Dybala ka marrë disa kritika në javët e fundit për mungesën golave të tij, por Zamparini mendon se është “çmenduri” të minimizosh shfaqjet e një sulmuesi si ai. Argjentinasi po përgatitet për të luajtur kundër ish-ekipit të tij në Seria A, të premten. “Kushdo që kritikon Messin është i çmendur. Ne po flasim për Messin e ri. Ai do të bëhet një lojtar si Messi dhe ai është tashmë në atë nivel, – ka thënë presidenti i Palermos për “Tuttosport”. – Ok, ai nuk ka shënuar aq shumë sa sezonin e kaluar, por është gjithmonë njeriu i ndeshjes për Juventusin, sa herë që unë e shoh atë të luajë. Ai është lloji i sulmuesit që luan për ekipin dhe vë të tjerët në pozitë për të shënuar.

Unë do të thoja se ai është me vlerën e 140, ose 150 milionë eurove. Ashtu siç thashë më lart, Dybala është Messi i ri. Unë e kam thënë se është i destinuar të bëhet një yll që kur mbërriti në Palermo. Unë shpresoj që ai të qëndrojë te Juventusi. Mendoj se bardhezinjtë mund të mbajnë, por sigurisht do të jetë e vështirë. Lojtarët e klasit botëror lakmohen gjithmonë e nga të gjithë. Por, shpresoj se ai do të qëndrojë te Juventusi për një kohë të gjatë.” Dybala ka shënuar 8 gola në 24 paraqitje, në të gjitha garat e këtij sezoni.