“Dybala është pranë rinovimit të kontratës”

20.11.2016 14:17:32

Paulo Dybala shumë shpejtë do të rinovojë kontratën e tij me Juventusin. Është i sigurtë për këtë drejtori i përgjithshëm i klubit bardhezi Beppe Marotta. Në një intervistë për mediat ky i fundit la të kuptohet se bisedimet me sulmuesin argjentinas janë në rrugë të mbarë dhe në një kohë fare të shkurtër 23-vjecari do të nënshkruajë marrëveshjen e re që do ta lidhë me Juventusin edhe për shumë vite të tjera. ” Kemi biseduar me Dybalan dhe menaxherin e tij dhe jemi në gjysmë të rrugës përsa i përket cështjes së rinovimit të kontratës, lojtari është i lumtur te Juvja dhe shumë shpejtë do të zgjasë bashkëpunimin me ne, theksoi Marotta. La Hoya ose xhevahiri në shqip sic njihet ndryshe Dybala, që nga transferimi i tij Juventusit në verën e vitit të kaluar ka spikatur me paraqitjet e tij duke u shndërruar në idhullin e ri të tifozëve bardhezi dhe mbi të gjitha në një lojtar shumë të kërkuar në merkato. Barcelona dhe Reali i Madridit e pëlqejnë tej mase argjentinasin por mesa duket e ardhmja e 23-vjecarit do të vazhdojë të jetë te Juventusi.