Dyshimi për rastin me coronavirus në Kosovë: Pacientja shtetase britanike e shtrirë në Klinikën Infektive – rezultatet dalin pas mesante

08.02.2020 21:51:18

Një shtetase britanike e cila dyshohet se është infektuar me coronavirus, ndodhet në Klinikën Infektive në QKUK.

Lindita Berisha, drejtoreshë në Klinikën Infektive në QKUK, përmes një konference për media, ka thënë se në orën 17:00 të shtunën ka ardhur një grua e cila dyshohet se ka virusin korovavirus.

Ajo ka deklaruar se pacientja është izoluar derisa të bëhen analizat përkatëse.

“Mostrat janë dërguar menjëherë në Laboratorin e Institutit Kombëtar, dhe janë në procedura laboratorike”, ka thënë ajo.

Ndërkaq ka njoftuar se në mesnatë pritet rezultati i analizave për pacienten.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se pacientja ka qenë në skijim dhe pasi i kishte filluar një kollë, e shqetësuar është shtrirë në klinikë.

Sipas tij, po dyshohet për simptoma të coronavirusit, mirëpo kjo do të vërtetohet pas të del rezultati i analizave.

“Bëhet fjalë për një shtetase të huaj e cila punon në Kosovë dhe e cila ka qenë në një qendër skijimi ku kanë qenë edhe pesë persona të tjerë. Ajo pasi ka lexuar se janë pesë persona të infektuar, ajo kishte filluar të kishte një kollë të lehtë, por pa temperaturë dhe simptoma të tjera është alarmuar dhe ka ardhur në Klinikën Infektive për të bërë kontrolle dhe rezultatet po i presim. Nga ekipa u sigurova se të gjitha materialet e nevojshme të siguruara, është marrë mostra dhe pritet nga ora 11:00 të dalë rezultati dhe të sigurojmë qytetarët se sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë rezultat pozitiv edhe pse jemi duke i pritur, pra nuk ka nevojë për asnjë panik”, tha Vitia.

“Tretmani do të merret këtu, shpresojmë që nuk do të jetë coronavirus”, ka theksuar ai.

Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës ka siguruar materialin e nevojshëm laboratorik, me të cilin do të arrinte të diagnostikonte rastet e dyshimta me coronavirus.

Materiali, të cilin e ka tani në dispozicion Instituti, mund të diagnostikojë deri në 1000 persona, ndërsa deri në përfundim të javës sasia e materialit diagnostikues do të shtohet.

Ndryshe, numri i vdekjeve nga coronavirusit në Kinë është rritur në 723, dhe numri i rasteve të konfirmuara u rrit në  34.598, sipas të dhënave zyrtare të lëshuara të shtunën.

Shumica e vdekjeve të raportuara rishtas kanë ndodhur në provincën Hubei, zemra e shpërthimit. Dy zona jashtë Hubei tani kanë më shumë se 1.000 raste secila.

Numri i rasteve të reja të konfirmuara në Kinë është stabilizuar gjatë ditëve të fundit, por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetit kanë paralajmëruar të mos i shikojnë  shumë numrat, duke thënë se provinca Wuhan dhe Hubei janë ende në mes të një “shpërthimi shumë të fortë”.