Dyshohet se Radojiçiq e rrahu shpulla e grushta Rakiqin

09.03.2020 22:33:06

Goran Rakiq është fitues i pakontestueshëm i dy palë zgjedhjeve të fundit në Komunën kryesore të veriut, atë të Mitrovicës, mirëpo as kjo mbështetje nuk e bën njeriun më me ndikim në këtë pjesë. Më i forti i veriut vazhdon të jetë nënkryetari i partisë së Rakiqit, Milan Radojiçiq.

Sic mëson Gazeta Online Reporteri.net, kryekomunari Rakiq është sulmuar me grushta dhe shuplaka nga Milan Radojiçiq, në fillim e javës së shkuar. Madje, burimet thonë se në një incident që ndodhi në Kopaonik më 2 mars, është shkrepur edhe një armë.

Gazeta ka provuar të flas me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrje. Rakiq është telefonuar në numrin e tij 065, e po ashtu në viber në numrin e njëjtë. Kryetari e ka pranuar thirrjen dhe mesazhet, por ka zgjedhur të mos përgjigjet.

Reporteri ka provuar të bisedojë edhe me njerëz të afërt të kryetarit, mirëpo askush nuk ka guxuar të flas. Një politikan serb i veriut që hapi telefonin, kur është pyetur për incidentin, me shumë pasiguri ka filluar të thotë disa fjalë dhe ka shtuar se nuk di asgjë.

Ndërkohë, meqë nuk kanë pranuar të përgjigjen zyrtarisht nga zyra e Rakiq, Reporteri.net ka biseduar me disa burime brenda Policisë në veri, të cilët kanë thënë se Rakiq nuk është parë që nga dita e martë e javës së shkuar.

“Javën e kaluar të hanën unë e kam pa në Leposaviq. Prej të martës ma nuk është pa askund”, thotë një zyrtar policor në kushte anonimiteti për gazetën.

Ndërkohë, mësohet se që nga dita e incidentit, kryetari i Mitrovicës ishte dërguar në Beograd për shërim. Ai u kthye në skenë tek sot ku u shfaq në një takim me presidentin Hashim Thaci, së bashku me ministrin serb të Listës Serbe, Dalibor Jevtiq. Rakic nuk kishte dalur në punë që nga dita e incidentit.

E Reporteri ka arritur të sigurojë një fotografi nga hera e fundit kur janë mbledhur zyrtarët e Listës Serbe në Kopaonik. Si për ironi, para incidentit, Rakiq me disa persona kishin realizuar një fotografi me maica ku shkruhej “Drejtësi për Milanin”. Incidenti ka shpërthyer në këtë ditë dhe në këtë vend, pak kohë pas kësaj fotografie.

Nuk dihet saktësisht se çfarë ka sjellur përplasjen e Rakiqit me Radojiçiqin, mirëpo dihet se ky i fundit ka shumë prona në Kopaonik, pjesë kjo që frekuentohet shumë nga turistët. Përveç Kopaonikut, Radojiçiq ka biznese nën kontroll edhe në komunën që drejtohet nga tashmë viktima e tij.

Radojiçiqin, ndërkaq, e njohin të gjithë. Ai tani ka dalur në skenë duke u bërë nënkryetar i Listës Serbe, mirëpo para se të merrte këtë pozitë, ai ishte thjeshtë koka e krimit në këtë pjesë të vendit. Milan konsiderohet si njeriu më i afërt i Zvonko Veselinoviqit, udhëheqësit të grupit Rojet e Urës. Radojiçiq kontrollon kontrabandën që zhvillohet në veri të vendit, dhe është një prej të kërkuarve lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.