E bija e Azemit i shpall “luftë” Bashës, Patozi euforik: Alternativë e re për shqiptarët!

18.04.2019 20:23:50

Vazhdon të mbledhë rreth vetes mbështetës të rëndësishëm, Rudina Hajdari tashmë që i ka shpallur “luftë” të hapur Lulzim Bashës, duke e sfiduar me mos djegien e mandatit dhe marrjen e drejtimit të Grupit të PD në Parlament.

E bija e Azem Hajdarit duket se po shkon drejt krijimit të një force politike në ardhmen, pasi ka theksuar se “opozita e re” do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë që të shumtë janë ata që ia kanë kërkuar këtë lëvizje.

Euforik për qëndrimet e Rudinës, duket se është bërë Astrit Patozi. Ish-kreu i Grupit të PD-së ka uruar sot atë për detyrën e re dhe e këshillon që të përgatitet për një përfaqësim dinjitoz të zgjedhësve në Parlament, por edhe të bëhet gati si alternativa e re për qytetarët shqiptar.

POSTIMI I PATOZIT:

ME KËMBË TË MBARË! Urimet më të mira dhe suksese Grupit Parlamentar Demokrat!

Opozitë të fortë dhe denoncim të qeverisë së korruptuar, në mbrojtje të interesit publik. Përfaqësim dinjitoz të zgjedhësve në parlament dhe përgatitje e alternativës së re për qytetarët shqiptarë.

Fantastike kauza për ndryshimin dhe riformatimin e sistemit politik në Shqipëri, si rruga e vetme për ta nxjerrë shoqërinë nga nofullat e partitokracisë, e cila ushqen korrupsionin, autoritarizmin, padrejtësisë, abuzimin me pushtetin, dhe mbi të gjitha deformon hapur dhe qartë vullnetin e qytetarëve.

Beteja dhe fitorja e kësaj është parakushti kryesor për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Me këmbë të mbarë!