E diela e futbollit në Supersport (Foto)

24.09.2017 09:23:05

Triumvirati Barca – Real – Atletiko për momentin është shpërbërë dhe në edicionin e sivjetshëm të ligës spanjolle përvec Seviljes në vendet e sipërme të tabelës së renditjes gjenden gjithashtu edhe skuadra të tilla si Valencia dhe Real Sociedad. Pikërisht dueli ndërmjet këtyre dy skuadrave përbën edhe ndeshjen e mbrëmjes në Primera Division, takim që do të luhet në San Sebastian në orën 20:45. Skuadra baske e nisi kampionatin me tre fitore radhazi, por më pas gjithsesi Sociedadi pësoi dy humbje rresht, me kundërshtarë të tillë si Reali i Madridit dhe Levante, ndërsa te “los che” ka filluar të ndihet menjëherë dora e Marcelinjos, pasi Valencia nuk njeh akoma humbje, në pesë javët e para të këtij edicioni. Në anën tjetër natyrisht zgjedhjet e trajnerit Eusebio Sacristan mund të thuhet me plot gojën që kanë tradhtuar ekipin nga San Sebastiani, sepse së fundmi ndryshimet e mëdha në formacion sollën atë disfatë të rëndë në Komunitetin Valencian me Levanten, ndërkaq më herët 53-vjecari bask zgjodhi një taktikë tepër të diskutueshme për të sulmuar Realin me të gjitha forcat, ndonëse skuadra madrilene ishte e gjymtuar, e rezultati dihet, “los blancos” fituar brenda në “Anoeta” pa kurrfarë mundimi.

Kjo sfidë ngjall goxha interes, madje akoma më shumë edhe prej faktit që skuadra baske ka fituar radhazi katër përballjet e fundit ndërmjet tyre. Në Itali takimi përmbyllës i javës së gjashtë luhet në Firenze, ku Fiorentina do të presë në orën 20:45 skuadrën e Atalantës. Të dy ekipet ndodhen pranë e pranë në klasifikimin e përgjithshëm dhe për momentin mbyllin gjysmën e parë të tabelës, sidoqoftë Stadiumi Artemio Franchi konsiderohet një fushë e mallkuar për “zikaltërit”, që nuk fitojnë në këtë pjesë të Toskanës prej afërisht cerek shekulli.

Në orën 18:00 do të luhet derbi emilian Sassuolo – Bologna. Dy klubet ndahen nga vetëm 44 kilometra dhe pas ndeshjes së shkëlqyer me Interin “kuqeblutë” shpresojnë për të siguruar fitoren e tretë radhazi jashtë fushe, ndaj këtij kundërshtari. Në orën 15:00 Interi rikthehet për të luajtur në San Siro, ku do të presë në orën 15:00 skuadrën e Genoas. Kurioz është fakti që në katër kampionatet e fundit të dy ekipet kanë alternuar vetëm fitore, duke respektuar përherë faktorin fushë, ndërkaq po në të njëjtën orë pas humbjes së rëndë me Napolin brenda në Olimpico Lazio ka një rast të shkëlqyer për të regjistruar fitoren e tretë rresht jashtë fushe, teksa do të vizitojë në Veneto “verdheblutë” e Veronës.

Në orën 17:30 do të ketë hapësirë edhe për ndeshjen e Serisë B Cesena – Ascoli, gjithsesi në Supersport si zakonisht një vend të vecantë e zë edhe Bundesliga, me kampionatin gjerman që ofron në orën 15:30 duelin Hanovër – Koln dhe në orën 18:00 takimin Leverkusen – Hamburg, ndeshje që do të keni mundësi t’i ndiqni nëpërmjet kanalit Eurosport 2. Dita e dielë në Supersport fillon që në orën 12:30 me takimet Sampdoria – Milan dhe Utrecht – PSV Eindhoven, sidoqoftë Eredivisie ofron gjithashtu edhe sfidën Ajax – Vitesse, ndeshje që do të luhet në Amsterdam Arena në orën 14:30. /supersport.al/