E diela e futbollit në SuperSport

07.10.2017 23:33:23

 

Pas Belgjikës, Gjermanisë, Anglisë dhe Spanjës Evropa pritet të mësojë edhe pesë përfaqësueset e fundit që do të kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, për në kampionatin e ardhshëm botëror, përpara se të përcaktohen përfundimisht edhe tetë skuadrat e fundit kombëtare, të pozicionuara në vendin e dytë, që do të ndeshen në vazhdim ndërmjet tyre në fazën e fundit, atë të play off-it. Ditën e dielë startojnë ndeshjet e fundit të kësaj faze dhe radhën për të zbritur në fushë e kanë ekipet e grupeve C, E dhe F. Gjermania skuadra kampione në fuqi do të bëj cmos për ta mbyllur këtë fazë me 100% të pikëve, teksa ka grumbulluar 27 pikë në 9 ndeshjet e deritanishme. Ekipi i Joachim Lowë ka një detyrë të lehtë, teksa do të presë në Fritz-Walter-Stadion të Kaizerslauternit Azerbajxhanin e Robert Prosineckit, skuadër së cilës Gjermania i ka realizuar plot 19 gola në 5 përballjet e mëparshme ndërmjet tyre.

Irlanda e Veriut është e sigurtë në vendin e dytë të Grupit C, megjithatë ekipi i Michael O’Neill duhet patjetër të marrë një pikë në Oslo, për të garantuar pjesëmarrjen në fazën play off, gjithsesi në Stadiumin “Ullevaal” Norvegjia përbën një kërcënim serioz, pasi ekipi nordik kërkon të konfirmojë progresin e bërë nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur suedez Lars Lagerback. Në këtë grup Republika Ceke për momentin pozicionohet në vendin e tretë, me dy pikë më tepër sesa dy skuadrat e tjera Norvegjia dhe Azerbajxhani, sidoqoftë ekipi i Karel Jarolim nuk rrezikon asgjë, pasi në ndeshjen përmbyllëse pret në Plzen modestët e San Marinos, që kanë pësuar plot 46 gola në këto eliminatore.

Në Grupin E Polonia është shumë pranë kualifikimit për në fazën finale të një botërori, event ku “bardhekuqtë” mungojnë prej 12 vjetësh. Robert Lewandowski duket i pangopur, teksa ka shënuar 15 gola në këtë fazë, për më tepër në Varshavë ndaj Malit të Zi në orën 18:00 ekipit të Adam Nawalka-s i mjafton vetëm një pikë. Ndërkaq misioni bëhet akoma më i thjeshtë, duke patur parasysh që përfaqësuesja ballkanase ka fare pak shpresa, pasi numëron tre pikë më pak sesa Danimarka, që është njësoj në ndeshjet direkte, por ka një epërsi prej dy golash në golaverazhin e përgjithshëm. Skuadrës së Age Hareide-s për të shkuar në play off pra i mjafton gjithashtu një pikë në Kopenhagen, ndaj Rumanisë që është gozhduar në vendin e katërt dhe nuk luan për asgjë, ndërsa takimi i fundit i këtij grupi është Kazakistan – Armeni, që vlen vetëm për statistika. Në Grupin F Anglia e siguroi kualifikimin që në Ëembley përballë Sllovenisë, gjithsesi përfaqësuesja e Gareth Southgate i mbyll këto eliminatore në Lituani në orën 18:00, ndaj një ekipi që luan thjesht për prestigj. Me skuadrën balltike përfaqësuesja e “tre luanëve” nuk ka pësuar as gol në tre përballjet e mëparshme, ndërkaq shumë e fortë pritet të jetë sfida Slloveni – Skoci, ndeshje ku ekipi i Gordon Strachan duhet patjetër të fitojë ndeshjen, për të ruajtur avantazhin e dy pikëve kundrejt Sllovakisë, përndryshe në play off do të marrë pjesë pikërisht skuadra e Jan Kozak, që pret në Trnava Maltën. /supersport.al/