E diela futbollistike ne SuperSport

01.10.2017 00:12:49

 

Pa ndrojtje Milan – Roma konsiderohet si kryendeshja e ditës së dielë, një ditë e gjatë dhe tepër e ngjeshur në Supersport, ku menuja e pasur krijon si zakonisht mundësinë për të gjithë të apasionuarit për të ndjekur sfidat më të rëndësishme në kontinent. Bëhet fjalë për një klasike të Serisë A, që e ka fituar këtë status për shkak të rivalitetit të përjetshëm në të gjitha fushat ndërmjet dy qyteteve kryesore në Apenine, që janë njëherësh edhe qytetet më të populluar në Itali. Sezonin e kaluar “verdhekuqtë” thyen rekordin e tyre të pikëve, në historinë e kampionatit me plot 87 pikë, me një diferencë të paimagjinueshme me Milanin, plot 24 pikë, sidoqoftë “kuqezinjtë” tani paraqiten ndryshe dhe me një skuadër krejt tjetër. Takimi do të luhet në një orar të pazakontë, në orën 18:00 në Stadiumin Giuseppe Meazza dhe Milani synon 3 pikët, për të mos humbur akoma më shumë terren, pas disfatës në Gjenovë me Sampdorian. Në përballjen me klubin tjetër kryeqytetas Lacion, skuadra e Vincenzo Montella-s u mund keqas 4-1, gjithsesi këtë herë “kuqezinjtë” kanë një rast të shkëlqyer, pasi Roma do të paraqitet në Lombardi pa emra të tillë si Perotti, Defrel apo dhe Patrik Schick, kështuqë përpara ekipi i Di Francesco-s pritet të luajë me treshen El Shaarawy – Dzeko – Florenzi.

Ndonëse për momentin gjenden në kuotë të njëjtë pikësh 12, Roma duhet të rikuperojë takimin e prapambetur me Sampdorian, sidoqoftë për t’iu kthyer formacionit të Milanit trajneri Montella duket se në sulm në kampionat preferon kroatin Nikola Kalinic, pavarësisht formës së shkëlqyer të dyshes Andre Silva – Cutrone. Të dy trajnerët kanë qenë pjesë e skuadrës që 17 sezone më parë fitoi titullin me trajnerin Fabio Capello, gjithsesi statistikat konfirmojnë që në San Siro “kuqezinjtë” kanë fituar vetëm 1 nga 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre, madje Roma në dy vizitat e fundit ka fituar thellë, respektivisht me shifrat 3-1 dhe 4-1. Me po kaq interes pritet gjithashtu edhe takimi përmbyllës i Javës së 7 Atalanta – Juventus. Ndeshja do të luhet në Bergamo, në orën 20:45 dhe Atalanta duket se i ka hedhur prapa humbjet e fillimit me Romën dhe Napolin, ndërsa kampionët në fuqi pavarësisht dëmtimeve vazhdojnë te kenë 100% të pikëve.

Pas Kupave të Evropës skuadrat i kthehen kampionateve respektive dhe në Primera Division është koha për të ndjekur edhe dy gjigantët e futbollit spanjoll Barcelona dhe Real Madrid. 3 pikët shndërrohen në detyrim, sepse lojtarët më pas do të shkëputen për afërsisht dy javë, teksa do të impenjohen me skuadrat e tyre përfaqësuese, kështuqë nuk priten surpriza, si për Barcën që do të presë në orën 16:15 Las Palmasin ashtu edhe për kampionët në fuqi, që do të ndeshen në orën 20:45 në Bernabeu me Espanjolin. Le Championnat ofron në Francë takimin përmbyllës të Javës së 8 Nice – Marseille, ndeshje tepër e vështirë për klubin nga Provansa, që ka humbur 3 nga 4 vizitat e fundit në “Allianz Riviera”, ndërkaq në Premier League ndeshja e fundit e javës së shtatë Newcastle United – Liverpool luhet në “St’James’ Park”, ku Rafa Benitez do të bëj cmos për të përkeqësuar pozitat e Jurgen Klopp, që ka vërtet 2 pikë më tepër në tabelën e renditjes, por ka fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet. Në orën 15:00 kampionati italian ofron dy ndeshje pa shumë probleme për skuadra të tilla si Inter dhe Lazio, teksa “zikaltërit” vizitojnë Beneventon në Campania, ndërsa Lazio do të presë në Olimpico Sassuolo-n. Si përherë në Supersport nuk do të mungojë as kampionati gjerman, me Bundesligën që ofron ndeshjen Freiburg – Hoffenheim në orën 13:30, ndërsa kampionët në fuqi të Bajernit të Mynihut, tashmë pa Carlo Ancelotti-n, do të masin forcat në orën 15:30 me Hertën në Olimpiastadion të Berlinit, ndeshje të cilat të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet kanalit Eurosport 2. /supersport.al/