E diela futbollistike ne Supersport

22.01.2017 10:22:44

Të dielën në mbrëmje Barcelona bëhet gati për fitoren e parë jashtë fushe, në Primera Division, përsa i përket vitit 2017, teksa do të vizitojë në Stadiumin “Municipal de Ipurua” Eibarin. Pas suksesit të parë pas plot një dekade në San Sebastian Barca do të vijojë sërish në Vendet Baske dhe skuadra e Luis Enrique-s ka një rast të shkëlqyer për të siguruar fitoren e 7 larg Katalonjës, duke shtuar kështu presionin mbi Realin e Madridit. Takimi do të luhet në orën 20:45 dhe trajneri asturian pritet të rreshtojë në sulm nga minuta e parë treshen e famshme Messi – Suarez – Neymar, sidoqoftë në ekip do të mungojë Mascherano e me shumë gjasa edhe Andres Iniesta, që në Anoeta u zëvendësua në fundin e pjesës së parë nga portugezi Andre Gomes. Eibar në shtëpi është mundur vetëm nga Atletico dhe skuadra e Osasunës, gjithsesi skuadra e Jose Luis Mendilibar pritet të vuajë lodhjen e takimit të vajtjes në Kupën e Mbretit me ekipin e Simeones, për më tepër Barca ka fituar katër përballjet e fundit ndërmjet tyre, duke shënuar plot 12 gola dhe pësuar vetëm një. Në orën 16:15 në Stadiumin San Mames Barria do të zhvillohet një ndër ndeshjet më të forta të javës, në kampionatin spanjoll, ku Athletic Bilbao do të presë Atletikon e Madridit. Në klasifikimin e përgjithshëm të Primera Division “luanët” kanë vetëm 6 pikë më pak, megjithatë “los colchoneros” kanë në favor traditën, teksa numërojnë 10 fitore dhe vetëm 1 humbje, në 12 përballjet e fundit ndërmjet tyre, për më tepër trajneri Ernesto Valverde nuk do të ketë në dispozicion dyshen Aduriz – Benat.

Vetëm gjysmë ore më vonë në Holandë kampionët në fuqi do të presin në Philips Stadion ekipin surprizë të sezonit Heerenveen, që në Eredivisie renditet një vend më poshtë me vetëm 5 pikë më pak, ndërkaq në orën 17:00 në “da Luz” do të vihen përballë dy skuadrat që kanë pushtuar prej kohësh skajet e Superligës Portugeze, Benfica dhe Tondela.

Në Francë takimi përmbyllës i Javës së 21 ofron në mbrëmje klasiken Lyon – Marseille, me klubin nga Provansa që tashmë numëron vetëm 4 pikë më pak në Le Championnat. Si zakonisht kampionati gjerman ofron dy takime dhe në Supersport të apasionuarit e Bundesligës do të kenë mundësi për të shijuar ndeshjet Leverkusen – Hertha dhe Mainz – Koln, ndërkaq si cdo të dielë pjesën më të madhe të ditës e zënë pikërisht takimet në Serie A. Roma ka mundësi të shkëlqyer për të ruajtur rekordin e maksimumit të pikëve në Olimpico, pasi verdhekuqtë do të presin në orën 20:45 në kryeqytet ekipin e Cagliari-t. Skuadra e Spaletit do të ketë kështu shansin për të marrë hak për ata dy gola që pësoi në Sardenjë dhe që i kushtuan Romës dy pikë shumë të cmuara, sidoqoftë po të njëjtën gjë do të tentojë në Bergamo në orën 18:00 gjithashtu edhe Atalanta e Gasperinit, që me një fitore në Atleti Azzurri ndaj Sampdorias do të mund të kthehej përsëri në Zonën Evropiane. Në orën 15:00 kampionati italian servir plot tre ndeshje njëkohësisht, duke filluar me Interin, që viziton në Sicili Palermon, me qëllimin e vetëm për të regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në Serie A, ndërkaq me tepër interes priten gjithashtu edhe dy ndeshjet e tjera: Pescara – Sassuolo dhe Empoli – Udinese./supersport.al/