E diela kulmon me derbin e Anglise

15.01.2017 12:10:55

Derbi i Anglisë Manchester United – Liverpool është takimi që spikat në menunë e pasur që ofron Supersport përsa i përket ditës së dielë, një sfidë ndërmjet dy klubeve që kanë fituar më shumë trofe, si brenda ashtu edhe jashtë ishullit. Ekipi i Jose Mourinho-s paraqitet në këtë duel titanësh pas plot 18 pikëve në 6 ndeshjet e fundit, ndërkaq “djajtë e kuq” numërojnë 9 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet. Pavarësisht se i mundi me radhë kundërshtarë të tillë si Arsenal, Chelsea apo Manchester City trajneri Jurgen Klopp u tregua i pafuqishëm për të thyer taktikisht strategun luzitan, dhe përfundimi dihet, United ja doli mbanë për të marrë barazimin brenda në Anfield pa ndonjë sforcim të madh. Këtë herë gjërat qëndrojnë krejt ndryshe, pasi “red devils” përfaqësojnë skuadrën më në formë në Premier League dhe “të kuqtë” rrezikojnë të pësojnë humbjen e parë në përballjet me ekipet e gjashtëshes së parë. Mungesa e Mane u vu re qartë edhe në mesjavë, në Kupën e Ligës, ku sic pranoi edhe vetë trajneri gjerman skuadra e tij meritonte të mundej me 3 – 4 gola diferencë. Liverpuli nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në dy takimet e fundit, prandaj me shumë gjasa Klopp do të përdorë nga minuta e parë futbollistë të tillë si Henderson dhe Coutinho, megjithatë as njëri dhe as tjetri nuk janë riaftësuar plotësisht, kështuqë detyrën më të vështirë pritet ta ketë mbrojtja e ekipit. Pas suksesit ndaj Hull City-t Mourinho iu përgjërua tifozëve për të krijuar një atmosferë të zjarrtë ditën e dielë, në orën 17:00, e natyrisht që në Old Trafford decibelët pritet të shtohen ndjeshëm, pasi duke lënë mënjanë dy qytetet, rivaliteti ndërmjet Zonës së Manchester-it dhe Merseyside-t shkon përtej futbollit dhe në të përfshihet gjithashtu rivaliteti historik, ekonomik dhe kulturor. Ndërmjet tyre këto dy klube kanë fituar plot 38 tituj në elitën e futbollit anglez, gjithsesi këtë herë takimi ka shumë më tepër rëndësi për United, pasi skuadra e Mourinho-s vazhdon të pozicionohet në vendin e gjashtë. Deri tani diferencën në këtë pjesë të sezonit po e bëjnë sfidat direkte, sidoqoftë Liverpuli ka probleme të theksuara në mbrojtje dhe natyrshëm lind pyetja kush do të frenojë golashënuesin e dytë më të mirë të Premier League-s, Zlatan Ibrahimovic, për më tepër këtë radhë “të kuqtë” rrezikojnë për herë të parë që nga 1993 i largët për të mos njohur fitore në katër ndeshjet e para të vitit. Në dy përballjet e fundit United i Louis Van Gaal ka mundur thellë Liverpulin e drejtuar nga Brendan Rogers, ndërkaq Liverpuli ka humbur 11 nga 14 vizitat e fundit në Teatrin e Ëndrrave.

Një tjetër ndeshje interesante rezervon gjithashtu edhe kampionati spanjoll, pasi në orën 20:45 do të vihen parëballë dy skuadrat që kryesonin në Primera Division, pas Javës së 17. Vetëm pak ditë më parë në Kupën e Mbretit Sevilja dhe Reali barazuan 3 – 3, gjithsesi këtë herë fusha e lojës do të zbukurohet nga shumë futbollistë që u lanë pushim nga trajnerët respektivë. Klubi madrilen numëron plot 40 ndeshje pa humbje në të gjithë aktivitetet, sidoqoftë këtë radhë lojtarët e Zinedine Zidane rrezikojnë ndjeshëm për të lënë pikë në Andaluzi, pasi  nga pesë vizitat e fundit në Ramon Sanchez Pizjuan “los blancos” kanë fituar vetëm një. Në Itali Juventusi po sulmon titullin e gjashtë radhazi, e këtë herë kampionët në fuqi sfidojnë në orën 20:45 në Toskanë skuadrën e Fiorentinës, një përballje tepër delikate duke patur parasysh rivalitetin historik ndërmjet dy klubeve. Më herët në orën 15:00 Serie A ofron plot pesë takime njëkohësisht, duke filluar nga Roma që viziton në Friuli skuadrën e Udinezes. Napoli plot probleme në mbrojtje duhet të bëjë kujdes në San Paolo ndaj Peskarës, ekip që nuk ka më asgjë për të humbur në kampionatin italian, ndërkaq premton spektakël në Olimpico takimi Lazio – Atalanta, gjithsesi në program janë gjithashtu edhe ndeshjet e tjera Sampdoria – Empoli dhe Sassuolo – Palermo. Në Supersport nuk do të mungojë gjithashtu as kampionati francez me Le Championnat që ofron në orën 21:00 nga Velodrome ndeshjen e madhe Marseille – Monaco./supersport.al/