E dua Kosovën për qëndresë/ Vargje nga poeti drenicas Hasan Dajaku

15.11.2020 17:20:51

E dua Kosovën për qëndresë

E për të bardhën besë!
E dua me trimninë e Mic Sokolit,
Me dashurinë e Hasan Prishtinës,
Me urtinë e Shtjefën Gjeçovit,
Me bukurinë e Shote Galicës!
E dua për bjeshkët harkore
Që e qarkojnë,
E mbajnë në gji
Këtë djep dashuri!…
Vitet si njerëzit
Unë kam ca vite.
Dhe ti ke ca.
Kosova, vallë
Sa vite ka?
Sa gurëz lumi,
Sa valë në det
Kosova vite,
Aq mund të ketë.
Shpesh qeshin vitet,
Herë – herë lotojnë,
Ato, si njerëzit,
Ndiejnë, kuvendojnë.
Njësoj si njerëzit
Hedhin ca valle,
Vallja e tyre
Është shumë e madhe.
Ato shpesh’herë
Bien në mendime –
Vitet e luftës
Veç psherëtime…
Unë kështu mendoj,
Ti mendon ndryshe?!
Kush, ore Gëzim,
Është Dallëndyshe?