E konfirmuar: Götze humb përfundimisht sezonin

15.03.2017 15:48:23

Sa keq! I sëmuri Mario Götze nuk mund të luajë së paku deri në fund të sezonit aktual. Lajmin e konfirmoi sot vetë Borussia Dortmund nëpërmjet një komunikate zyrtare. Kampioni i botës, i cili në muajin shkurt u diagnostikua me çrregullime të metabolizmit, pritet të rikthehet në fushë vetëm në sezonin e ardhshëm, që do të thotë se ai nuk ka shans të aktivizohet as në Kupën e Konfederatave në Rusi me kombëtaren gjermane.

“Synimi për lojtarin është që të jetë plotësisht i përgatitur për nisjen e sezonit të ri futbollistik. Shpresojmë që ai të rikthehet në stërvitje në muajt e parë të verës”, – njoftuan drejtuesit e klubit verdhezi. Ky sezon rezultoi të jetë më i dobëti në karrierën e 24-vjeçarit, i cili në finalen e Kupës së Botës 2014 shënoi golin e “shpëtimit” për “pancerat” kundër Argjentinës. Ai ka pasur shumë probleme fizike, të cilat mund të përmblidhen me të ashtuquajturën miopati.