E nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi, tani Haradinaj thotë se ka arritur ta mbrojë tokën e Kosovës

18.08.2019 16:03:34

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, sot ka vendosur lule pranë varrit të Zeqir Dreshajt, i cili ishte kryeplaku i fshatit Kuqishtë, që shtrihet në brezin kufitar me Malin e Zi.

Haradinaj ka thënë se kanë arritur ta mbrojnë tokën e Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Ne kemi arritur që ta mbrojmë tokën tonë me të drejtën e korrigjimit të sektorëve në drejtim të Kullës e Çakorrit dhe me Kryeministrin e Malit të Zi, jemi dakorduar që Komisionet Ndërshtetërore të fillojnë punën në afat optimal. Këtë ia kemi borxh Kosovës, burrave si Zeqir Dreshaj dhe rugovasve” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka qenë një nga politikanët që e ka kundërshtuar fuqishëm nënshkrimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Për këto kundërshti ai dhe partia e tij, kishin protestuar dhe hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Me ardhjen e tij në qeveri, kjo marrëveshje u nënshkrua me arsyetimin e se Komisione Ndërshtetërore do ta korrigjojnë edhe një herë këtë pjesë të kufirit.