E shfaqur në pikturë dhuna ndaj femrës shqiptare nga Piktori i kodeve, Fatmir Neziri

30.05.2019 18:48:13

Piktori, Fatmir Neziri ka vite që punon dhe jeton në Francë, pikturat e tij  mahnisin jo vetem botën franceze po edhe më gjerë….Për më shumë njihemi më botën e tij krijuese :

Intervistoi: Lejla Hoti

fokusi.org: Ku jeni lindur dhe nga ç familje vini në botën e artit?

Unë jam lindur në Shkup, por prinderit i kam kosovar, në fakt të pesë fëmijët jemi lindur në Shkup.

fokusi.org: Në ç’moshë keni ardhur në Ferizaj ?

Kemi ardhur në vitin 1974, pra isha 7 vjeç dhe me pas mesimet i kemi bëre në Kosovë. Në Ferizaj kam mbaruar shkollën fillore dhe fazën e parë të shkolles se mesme. Ne vitin 1983 jam regjistruar ne Prishtine në shkollën e medicines ne fazën e dyte, ku mënjehere pasi fillova, me 22 shtator 1983 burgosem për çeshtje politike se bashku me motren time Dijen.

fokusi.org: Kur ke filluar ta ndjesh veten piktor, apo si erdhi fillimi ?

Si duket kam lindur me artin dhe gjërat i mbaj mend që nga mosha e hershme. Aty diku si tre-kater vjeçar kur isha, më kujtohet se vizatoja  dhe pikturoja me kënaqesi dhe lehtësi si me laps ashtu dhe me ngjyra akuarel. Ne moshen 9 vjeçare kam pikturuar më ngjyra të vajit, teknike e komplikuar për atë moshë. Ne shkollë gjithmonë isha i dalluar në këtë fushë, por edhe në të tjerat gjithmonë i shkelqyeshëm.

fokusi.org: Kur dhe ku i ke bërë studimet?

Ne vitin 1996 i kam mbaruar studimet ne Prishtine ne Fakultetin e Arteve ne degen e piktures dhe me 1998 e kam mbaruar magjistraturen ne degen e pikturës.

fokusi.org: Kur ke hape ekspozitën e parë?

Ekspoziten e parë personale e kam hapur me 2002 ne Ferizaj. Kam marrë pjesë edhe me heret në ekspozitat kolektive të studimeve. Me gjuhen time të shprehjes artistike  gjithmonë e kam prekur shikuesin emocionalisht.

fokusi.org: Cilat janë temat që të rrëmbejnë?

Unë jam një person i drejtperdrejte, që gjerat i shohë si me syrin e njeriut të përvuajtur, si të atij  ambicioz, e deri tek i njeriut rebel dhe të lirë sidomos. Pra, unë prek temen e jetes se kaluar, te tashmes dhe te ambicies për të ardhmen. Pastaj tema ndryshon në baze të emocioneve, tema qe me imponohet nga vet koha, momenti, ngjarja. Pikturoj me ndjenja e jo me brushë, në fakt me brushë, por po shprehem me kuptimin alegorik të fjales. Stili im, teknika ime e punes artistike  edhe ketu ku jam, pra ne Francë,  e ka mberthyer fuqishem mendjen e vrojtuesit. Kam ekspozuar shume here ne stile dhe teknika te ndryshme.

fokusi.org: Pse u largove nga Kosova edhe kur?

Unë jam si shqiponja qe shikon me sy drejt diellit.  Unë jam përson i thjeshtë e më karakter të fortë dhe kjo më shtyen vazhdimisht të jem në kërkim të dritës se diellit- lirisë.

fokusi.org: Cila është piktura që do e dalloje?

Unë nuk mund të qendroj besnik në një stil te caktuar pikturimi, jam aventurier në stil. Sa jam ekspresiv, bëhem impresiv, realist, surealist, modern, e abstrakt. Sikurse poetet qe i thurrin poezi dashurisë, luleve, të bukures, e tjera, e tjera, edhe unë e pikturoj jeten e lumtur, e paraqes dashurinë, e madheroj ate duke i dhene ngjyrat me te bukura qe ekzistojne, e pikturoj imagjinaten time te komplikuar ne thjeshtesine e saj, i paraqes endrrat e mia provokuese dhe  intriguese embelsisht. Perdori teknika te ndryshme, si: laps i thjeshtë, laps me ngjyre, pastel te thate, ngjyra akuareli, akrilik dhe ngjyra vaji. Ne çdo stil timin gjej kënaqësi të madhe.

Por kam një pikturë te stilit ekspresiv-real, që më mberthen fuqishëm emocionalisht, të punuar në pelhurë në tekniken e ngjyrave të vajit dhe te formatit të madh, 4 metra e gjere dhe 2 m. e larte, ku kam paraqitur  dhunën ndaj femres shqiptare ne luftën e fundit me serbet. Këtë pikturë e kam pikturuar në vitin 2000-2001 dhe e kam ekspozuar ne vitin 2002. Mua më është dashur ta paraqisja këtë temë në veper, sepse më është dukur si një krim pertej krimit qe i eshte bere femres shqiptare.  Aty kam paraqitur dhunen ne menyrat më të mundshme qe nje kriminel mund t’i kryeje. Midis kompleksitetit te elementeve dhe kodeve te paraqitura në pikturë, aty kam paraqitur edhe lulen e Adamit dhe Eves dhe tere kohen mundohem t’i sheroj plaget permes lotëve te kesaj lules, sepse thuhet se lotet qe rrjedhin nga kjo lule jane vdekjeprurese, e une helmin e saj e transformoj ne ilaç. Helmi kunder helmit.

Aty është paraqitur historia jonë, vuajtja, lufta jonë që ende nuk ka mbaruar, e që do të mbaroje vetem atehere kur ilaçi im i shëron ato plagë, atehere kur kryesit e ketij krimi do të ndëshkohen.

fokusi.org: Sa ekspozita ke hapë jashtë dhe si të kanë pritur?

Kam pasur 5 ekspozita përsonale, ku publiku ka mbetur i mahnitur me punen time dhe bota e mediumeve me madhëroi shume duke me quajtur piktori i kodeve. Ka 5 vjet qe punoj si profesor i artit dhe ekspozoj se bashku me nxënësit e mi pas perfundimit te viti shkollor, ku mirepritemi mrekullueshem. Tash koheve te fundit nuk jam aspak i asaj ideje për të ekspozuar shumë, sepse nuk po më pelqen jeta e të qenurit i prirur për të pasur levdata. Thjeshtësia është ajo që më rrëmbene

fokusi.org: Cila është porosia juaj për krijuesit e rinj të KOSOVËS?

Do tu thoja : kërkojeni LIRINE, sepse duke e kërkuar lirinë do ta gjeni vetveten.  Për fund :  jemi të humbur në këtë botë të mjegulluar, dhe na duhet veç pak DIELL për ta çarë mjegullen. E kam nga përvoja. Ju thashë me heret qe unë jam si shqiponja..