E Shtuna e futbollit në SuperSport

12.05.2017 23:54:49

Më Bayernin të shpallur prej javësh kampion i Bundesligës, futbolli gjerman ka ende disa enigma për të zgjidhur në dy javët e fundit. Këtë të shtunë, Supersport do të transmetojë katër ndeshje nga ky kampionat, të gjitha në orën 15:30. Në Red Bull Arena Liepzigu, surpriza e këtij sezoni, do të presë kampionët bavarezë në një ndeshje që u vlen vetëm për statistika të dyja skuadrave, pasi edhe debutuesit e Bundesligës e kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupit të Championsit.

Borussia e Dortmundit ndërkohë viziton Augsburgun, me synim fitoren për të mbrojtur avantazhin prej dy pikësh ndaj Hoffenheimit, që i kërcënon vendin e tretë. Pritet të jetë një ndeshje emocionuese pasi pasi Augsburgu ende nuk e ka siguruar matematikisht mbijetesën.

Schalke 04 – Hamburg është një tjetër sfidë interesante, ku luhet për objektiva të rëndësishëm. Skuadra e Mërgim Mavrajt është në vështirësi serioze në vendin e 16-të dhe vetëm fitorja e mbanë në lojë për shmangien e zonës Play – Off. Madje veriorët nëse nuk marrim pikët maksimale mund të rrezikojnë rënien direkt nga Bundesliga.

Verder Bremeni, që është në kërkim të një vendi në zonën europiane do të presë Hoffenheimin, që kërkon ende t’i luajë shanset për vendin e tretë pas humjes me Dortmundin në përplasjen direkte një javë më parë.

Nga Primera Division Supersport ka përzgjedhur të transmetojë Espaniol – Valencia, takim që do të nisë në orën 18:00. Në fakt, pavarësisht rezultat që do të prodhojë kjo sfidë nuk pritet të ketë ndonjë efekt në klasifikimin e përgjithshme, pasi si Espanioli ashtu edhe Valencia renditen në një zonë të qetë, pa rrezikuar rënien, por edhe jashtë mundësive për të prenenduar pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Nga Seria A në orën 18:00 për të apasionuarit e futbollit italian do të nisë Fiorentina – Lazio, me skuadrën vjollcë që do të tentojë maksimumin për të shfrytëzuat edhe shanset matematikore për pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Lazio duket e blinduar në vendin e katërt.

Në 20:45 në Bergamo Atalanta e Etrit Berishës do të presë Milanin, që nuk fiton prej katër ndeshjesh në Serinë A. Bergamaskët në fakt janë në një pozicion komod, pasi edhe nëse nuk marrin pikë në tri ndeshjet e fundit e kanë siguruar fazën e grupeve të Europa Leagues. Nga kampionati portugez si gjithmonë do transmetohet ndeshja e Benfikës, që pret Guimaraes në 19:15, ku një fitore e mundshme e “shqiponjave” i shpall matematikisht kampionë të Portugalisë. /supersport.al/