E shtuna futbollistike ne SuperSport

16.12.2016 17:18:06

Juventus-Roma, është kjo kryefjala e së shtunës futbollistike në Europë. Dy skuadrat kryesuese të Serie A përplasin brirët në “Juventus Stadium” në një moment shumë pozitiv për të dyja ekipet. Vetëm 4 pikë diferencë përbëjnë hendekun mes kampionëve në fuqi dhe verdhekuqve që konfirmohen sërish forca e dytë e kampionatit italian. Një dualizëm që ka shoqëuar Serie A gjatë sezoneve të fundit por këtë të shtunë do të konsumojë një tjetër akt shumë të rëndësishëm pasi një fitore e verdhekuqve do të rihapte çdo llogari, ndërsa në krahun tjetër, Zonja e Vjetër kërkon të tregojë se vazhdon të mbetet kundërshtari i frikshëm i sezoneve të fundit ku ka dominuar në çdo aspekt. Juventusi vjen në këtë përballje pas dy fitoreve të rëndësishme kundër Atalantës dhe Torinos që shërbyen si kurë për të mbyllur plagët e disfatës në Genoa, ndërsa Roma po ashtu ka treguar muskujt në derbin ndaj Lazios dhe kundër Milanit. Dy skuadra me moral dhe në momentin më të mirë të sezonit. Allegri nuk preferon të kursejë asnjë titullar edhe pse javën e ardhshme do të luajë finalen e Superkupës dhe me një Higuain në superformë, bardhezinjtë këtë sezon kanë një armë më shumë kundër Romës. Ish-i i madh i kësaj sfide është ish mesfushori i Romës, Miralem Pjanic, ndërsa në krahun tjetër, Strootman dhe Nainggolan në mbështetje të Dzekos në sulm janë emrat që mund t’i bëjnë dëm në çdo moment Juventusit. Mungesa më e rëndësishme për miqtë do të jetë ajo e Mouhamed Salah, ndërsa Dybala mbetet më i kuotuar për të nisur duelin e orës 20:45 që nga minuta e parë.

Po në Serie A, një tjetër sfidë interesante është edhe ajo që do të luhet mes Milanit dhe Atalantës, dy skuadra në garë për një biletë europiane. Atalanta zbret në “San Siro” pas dy humbjeve rresht por mbetet një prej surprizave të këtij sezoni dhe ndaj Milanit do të kërkojë të fshijë zhgënjimin e 180 minutave pa asnjë pikë. Për Milanin rikthehen në dispozicion të Montellas, Bacca dhe Bonaventura, dy emra që i japin më shumë theks sulmues ekipit. Ndeshja luhet në orën 18:00, ndërsa në 15:00 Empoli-Cagliari çel javën e 17 të Serie A.

Në Gjermani, Bundesliga ndizet me javën e 15. Hertha Berlin udhëton në transfertën e kryesuesve të Leipzig. Një duel me shumë pikëpyetje për shkak të formës së mirë që po kalojnë të dyja ekipet. Debutuesit kërkojnë të riukthehen te suksesi për të mos i lështuar terren Bayernit të Mynihut. Një tjetër përbalje interesante është edhe ajo mes Schalkes dhe Freiburgut, ndërsa në orën 18:30 Wolfsburgu në krizë rezultatesh pret Frankfurtin.

Primera Division zbret në fushë peshat e lehta me Sevillan që sfidon Malagan në “Sanchez Pizjuan”. Andaluzianët në formë të shkëlqyer pas suksesit 3-0 në fushën e Celta Vigos, nuk kërkojnë të humbasin trenin Champions dhe në orën 20:45 do të kërkojnë një tjetër 3 pikësh për të vazhduar rrugëtimin pozitiv të sezonit. Ndërkohë, në orën 16:15, Atletico Madrid në krizë kërkon revansh pasi aktualisht mban vendin e 6 me 12 pikë më pak se Reali kryesues. Një ndeshje delikate duhet të luajë edhe Paris Saint Germain që sfidon në transfertë surprizën Guingamp. Skuadra e Unai Emery me 4 pikë më pak se Nice kryesuese do të kërkojë me çdo kusht të fshijë zhgënjimin e barazimit ndaj kryesuesve vetëm një javë më parë, ndërsa vendasit kanë shënjestruar zonën europiane. Nga kampionati Holandez, Supersport sjell live dy ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e sezonit, në orën 19:45 Feynoord-Vitesse dhe në 20:45 Twente-AZ Alkmaar.