E shtuna futbollistike ne Supersport

11.02.2017 12:49:17

Liverpool-Tottenham, është kjo kryendeshja e së shtunës futbollistike në Supersport ku kryqëzohen rrugët e shumë skuadrave në disa prej kampionateve më të forta të kontinentit. Në “Anfield Road” të kuqtë e Jurgen Klopp nuk kanë alternativë tjetër përvec fitores pas disa rezultateve zhgënjyese, ndërsa në krahun tjetër, Tottenham në formë të shkëlqyer kërkon të mos humbasë trenin titull. “Spursat” me 9 pikë më pak se Chelsea kryesues vazhdojnë të besojnë se kampionati mbetet ende i gjatë dhe pikët janë në lojë për të rikuperuar sa më shumë terren dhe me dyshen Keane-Delle Alli në sulm, Pocchetino i ka të gjitha mundësitë për ta mbajtur të hapur garën por fillimisht duhet të kalojë Liverpoolin. Në kampin vendas, Coutinho dhe Mane do të jenë në dispozicion të Klopp që ka një skuadër të plotë për të gjetur rrugën e suksesit pasi Manchester United mbetet vetëm një pikë larg vendit të pestë. Ndeshja luhet në orën 18:30 dhe do të transmetohet live në kanalet SS4-SS4HD.

Nga Anglia në Spanjë aty ky dy gjigandët e La Ligas do të zbresin në fushë. Barcelona sfidon Alavesin rreth 4 muaj pas asaj disfate zhgënjyese në fazën e parë dhe alternativa për skuadrën e Luis Enriques është vetëm një, fitorja. Në krahun tjetër, Reali i Madridit viziton Pamplonan me një mision më të thjeshtë, për të kaluar me sukses Osasunan e vendit të fundit. Dy sfida të lehta në letër për rivalët e përjetshëm por 3 pikë që gjithsesi duhen fituar në fushën e lojës.

Në Itali, Fiorentina kërkon të fshijë atë humbje të thellë 4-0 ndaj Romës teksa do të presë në “Artemio Franchi” Udinesen që këtë sezon i ka plotësuar objektivat. Interesante edhe sfidat në Gjermani ku Bayerni i Mynihut ende jo në formën më të mirë udhëton në transfertën e Ingolstad për të forcuar pozitat në krye të klasifikimit, ndërsa Leipzig sfidon Hamburgun e Mërgim Mavrajt ku miqtë do të kërkojnë të bëjnë goditjen e madhe për të ndalur forcën e dytë të kampionatit Gjerman. Një tjetër ndeshje interesante është edhe ajo që do të luhet në orën 18:30 mes Schalke 04 dhe Hertha Berlin. Në Eredivisie, Feynoordi kryesues pret Groningenin në një 90 minutësh delikat por të kalueshëm në letër.