E shtuna futbollistike

18.03.2017 10:58:55

E shtunë e pasur me ndeshje nga kampionatet më të forta europiane dhe një nga emrat e mëdhenj që zbret në fushë është pikërisht Reali i Madridit, që luan një transfertë të vështirë me Athletic Bilbaon në orën 16:15 në “San Mames”. Kjo është një nga ato sfidat më të vështira që kanë Los Blancos në kalendar deri në fund të sezonit për objektivin titull. Skuadra e Zidane përfitoi javën e kaluar nga humbja e Barcelonës, duke u rrëmbyer katalanasve kreun, ndërkohë që ka edhe një ndeshje për të zhvilluar, atë me Celta Vigon. Takimi i dytë i La Ligas që do të transmetohet nga Supersport është ai i orës 18:30 Alaves – Real Sociedad.

Nga Bundesliga në orën 15:30 do të vijnë për të apasionuarit e futbollit gjerman Werder Bremen – Liepzig dhe Hoffenheim – Leverkusen. Leipzigu, tashmë me 10 pikë më pak se Bayernin, më shumë se për të ngushtuar diferencën me kryesuesit, duhet të mendojë që të ruajë pozicion aktual, që i kërcënohet nga Dortmundi. Nga ana tjetër Werder kërkon fitoren me cdo kusht për t’iu larguar zonës së ftohtë. Sfidë interesante edhe mes Hoffeniheimit dhe Leverkusenit, me “Aspirinat” që do të bëjnë gjithcka për t’iu afruar zonës europiane pas eliminimit nga Championsi. Ndërkohë në orën 18:30 do të luhet Frankfurt – Hamburg.

Nga Seria A në orën 18:00 vjen sfida Torino – Inter, me zikaltrit tepër të motivuar për të shpresuar deri në fund për zonën Champions, ndërsa në orën 20:45 në San Siro do të luhet Milan-Genoa, me kuqezinjtë që kërkojnë të kthehen te fitorja për të shpresuar ende të paktën për vendin e 5-të që i jep mundësi të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm.

Nga kampionati holandez Supersport propozon në orën PSV Eindhoven-Vitesse, që do të nisë në orën 19:45. Nuk duhet harruar që transmetimet maratonë të ndeshjeve të futbollit nisin që në orën 13:30 me takimin e Premier Leagues, WBA – Arsenal me Topcinjtë e Arsene Wenger, që duhet patjetër të fitojnë në këtë transfertë për të besuar te pjesëmarrja në Champions sezonin e ardhshëm.