E Shtuna, kulmon me derbin e Milanos

15.04.2017 09:50:41

Një shtunë si kurrë më parë në Supersport. Sa shumë ndeshje, sa shumë emocione ,sa shumë spektakël në ekranin tonë në vetëm 1 ditë. Gjithcka kulmon me derbin e Milanos. Dita nis me një sfidë vërtetë të vecantë , me një ndeshje ku rivalteti është i jashtëzakonshëm dhe spektakli është i garantuar. Derbi i Madoninës këtë herë vjen ndryshe pasi luhet për herë të parë pak pas mesdite pra  në orën 12,30.  Por jo vetëm kaq sepse për herë të parë  në historinë e kësaj sfide Interi dhe Milani janë në pronësi të kinezëve. Që kjo ndeshje të luhej në një orar të pazakontë kanë ndikuar pikërisht manjatët nga Lindja e Largët që tashmë zotërojnë dy prej klubeve me me shumë histori në futbollin italian dhe atë europian. Interesi i tifozëve për këtë superpërballje është i jashtëzakonshëm madje as pozitat e dy skuadrave në tabelën e klasifikimit nuk kanë ndikuar negativisht. Aktualisht luhet për vendin e 6-të që do të thotë një biletë në edicionin e ardhshëm të Europa League, por sidoqoftë pritshmëritë mbi këtë sfidë janë të mëdha nga dy kampet pasi një fitore në derbin e Madoninës do të shpëtonte sezonin si për Interin ashtu edhe për Milanin.

Në derbi asnjëherë nuk ka favoritë. Interi në fakt po kalon një moment aspak pozitiv dhe synon suksesin për të hedhur pas shpatullave dy humbjet e fundit ndaj Sampdorias dhe Crotones, Milani në anën tjetër kërkon ta inagurojë në mënyrën më të mirë kalimin e klubit në duart e kinezëve. Pasalic është mungesa e madhe e Montellës për arsye skualfikimi ndërkohë që Pioli ka ende disa dilema përsa i përket formacionit. E sigurtë është që Interit i rikthehet në dispozicion Gagliardini ndërsa tresha sulmuese do të përbëhet nga Candreva-Perisic e Icardi. Montella i kundërpërgjigjet trajnerit të zikaltërve me dy spanjollët Suso e Deulofeu në mbështetje të Carlos Baccës.

Duke qenë se të Dielën janë pashkët në Serinë A luhen sot të gjitha sfidat e javës së 32-të. Në orën 15.30, Juventusi kryesues sfidon Pescarën në transfertë, ndërsa Roma luan një sfidë delikate ndaj Atalantës në Olimpico. Genoa-Lazio është një tjetër takim interesant i orës 15, për të vazhduar me duelin e orës 18 mes Sassuolos dhe Sampdorias. Në ekranin tonë nuk mungon as takimi i mbrëmjes mes Napolit dhe Udineses. Në La Liga vijon lufta në distancë mes Realit të Madridit dhe Barcelonës. Me mendjen te sfidat e kthimit për cerekfinalet e Championsit ndaj Bayernit dhe Juventusit, Reali do të kërkojë fitoren sot në transfertën ndaj Sporting Gijon. Ndërkohë që Barcelonës nuk i lejohet më një tjetër hap fals në sfidën shtëpiake ndaj Real Sociedad-it. Për Atleticon e Madridit parashikohet një mision i thjeshtë fitorja ndaj Osasunës së vendit të fundit. Në Gjermani e Shtuna është dita e Bayern-it dhe Dortmundit. Bavarezët luajnë ndaj Leverkusen-it në krizë në totale në BayArena ndërsa verdhezinjtë presin në Signal Iduna Park, Frankfurtin. Në Angli, objektivi Champions për Manchester City-in e Pep Guardiolës kalon nga trasnferta ndaj Southampton-it në St Mary. Në Francë, Monaco për të rikthyer titullin kampion në Principatë duhet të fitojë me cdo kusht ndaj Dijon-it në shtëpi. /supersport.al/