E vetmja platformë për bashkim kombëtar është platforma e presidentit Rugova, e jo platforma serbo-ruse për ricoptimin e territoreve shqiptare

02.10.2016 19:28:37

Nga Rexhep kastrati

1

Milovan Drecun nuk është emër i panjohur për opinionin politik, mediatik dhe për opinionin e gjerë shqiptar në Kosovë, pasi që vazhdimisht dhe në momente të caktuara ka bërë deklarata të ndryshme provokative në raport me shqiptarët dhe me Kosovën. Kësaj radhe paska zgjedhur të provokojë shqiptarët me çështjen e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar, duke e konsideruar se kjo mundësi është zhdukur me largimin e Salih Berishës. Dhe e thotë këtë në kohën kur ka një propagandë të madhe edhe nga Rusia pikërisht në temën e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar, e në të cilën është përfshirë shteti serb në tërësinë e tij. Vetëm pak ditë më parë, Ivica Daçiq e rikthesoi deklaratën e Boris Tadiqit të vitit 2011 se në Kosovë nuk ka kosovarë por ka shqiptarë të Kosovës, me kuptimin e desubjektivizimit të Kosovës dhe paralelizimin e shqiptarëve dhe serbëve, me qëllim të fundit bashkimin e shqiptarëve të Kosovës me shtetin shqiptar, dhe bashkimin e serbëve të Kosovës me Serbinë, e që i bie ndarje të Kosovës, kurse në anën tjetër ish-drejtori i Agjensisë Ushtarake të Serbisë (VBA), Momir Stojanoviq  deklaron se shqiptarët e Kosovës duan të mbajnë referendum për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar. Dhe këtë Stojanoviq ia kishte deklaruar agjensisë ruse “Sputnik”, e cila edhe herë të tjera është përfshirë në zhvillimet në Kosovë dhe rajon, duke e bërë të qartë se kjo propagandë me temë referendumin për bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar është pjesë e luftës speciale kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në fakt, theksimi i referendumit për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, që është një nga pikat kryesore të Albin Kurtit dhe sektës së tij okulte, pikërisht në këtë kohë, duhet parë si një përpjekje për të nxitur shqiptarët në një aventurë që do të përfundonte me ndarjen e Kosovës, si dhe për të zbutur efektet e referendumit të mbajtur në Republika Srpska. Po ashtu, duhet thënë se propaganda me çështjen e referendumit për bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar, që Serbia dhe Rusia po e bëjnë me të madhe, lidhet pikërisht me një fazë të re të zhvillimeve rajonale në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e që lidhet me fillimin e ndryshimit të kufijve të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, e që ka të bëjë me Kosovën, Bosnjën e Maqedoninë. Duhet të kujtojmë se sllavo-ortodoksët janë deklaruar pro ndarjes së Kosovës dhe Maqedonisë, kurse referendumi në Republika Srpska është vetëm një hap taktik drejt angazhimeve për ndarjen e Bosnjës. Pra, Serbia dhe Rusia po synojnë që të hapin procesin e ndryshimit të kufijve në rajon, por duan që ky porces të mos fillojë me Republika Srpskën, por me Kosovën ose me Maqedoninë. Gjatë tërë kohës unë kam dhënë arsyet se përse Serbia dhe sllavo-ortodoksët duan ta destabilizojnë rajonin, dhe përse nuk guxojnë të nisin procesin e ndryshimeve të kufijve në rajon nga Bosnja, por arsyeja kryesore është se Serbia nuk do që edhe një herë të nisë një proces të shpërbërjes së shteteve, pasi që këtë e ka bërë me Milosheviqin gjatë fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe nuk ka arritur ta përmbyllë si duhet, dhe është ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kishte vendosur që të mos ketë shpërbërje të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia dhe kufijtë e tyre gjatë kohës së ekzistimit të shtetit jugosllav, të njihen si kufij ndërkombëtarë. Pra, Serbia e di se po nisi edhe njëherë ndryshimin e kufijve të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, do të marrë mbi vete përgjegjësinë për rihapje të çështjeve të ndjeshme në rajon, e pse jo edhe të luftërave të reja në rajon. Dhe këtë po mundohet të mos e bëjë vetë dhe të ndeshet edhe njëherë me bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre ka kohë që janë duke u angazhuar që konfliktin, përkatësisht fillimin e ndryshimit të kufijve në rajon ta bartin në Kosovë ose në Maqedoni. Dhe kjo mund të ndodhë nëpërmjet destabilizimit të Kosovës, pra edhe me një luftë në Kosovë, apo në Maqedoni, nëpërmjet konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për çështjen e kufirit, nëpërmjet konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë që do të niste si gjoja përpjekje e Maqedonisë për të penguar futjen e grupeve guerile nga Kosova, si në rastin e Kumanovës, por edhe nëpërmjet nxitjes së shqiptarëve për një referendum për bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar. Në një rast të tillë, do të kishte një përfshirje rajonale të shqiptarëve në një konflikt që do të konsderohej i nisur nga vetë shqiptarët, dhe do të kishte një përfshirje rajonale të sllavo-ortodoksëve rajonalë në një luftë kundër shqiptarëve,  e që do të ishte një luftë e re ballkanike. Në një luftë të tillë, shqiptarët do të merrnin përgjegjësinë për destabilizimin e rajonit dhe si luftëshkaktues në rajon, do të pësonin edhe nga sllavo-ortodoksët  në terren, por edhe gjithë pasojat në arenën ndërkombëtare. Procesi i shpërbërjes së shteve, pra edhe të Bosnjës, të Kosovës dhe të Maqedonisë do të ishte i pashmangshëm, dhe më të humburit do të ishin shqiptarët.

2

Një çështje tjetër që gjithsesi meriton vëmendjen e duhur është edhe çështja e implikimit të Salih Berishës në këto farë projektesh për gjoja referendum për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar. Dhe meriton vëmendjen e duhur për faktin se në këtë mënyrë kuptohet se si ndërhyn Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre në krijimin e opinionit te shqiptarët, e më konkretisht për drejtuesit politikë të tyre. Është kështu për faktin se Serbia e di se shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht shqiptarët jashtë shtetit shqiptar, e shohin Salih Berishën si një lider nacionalist dhe që është për bashkimin e kombëtar. Kjo bindje është krijuar sidomos pas slloganit të tij gjatë luftës: një komb një qëndrim, dhe për një federatë shqiptare në Ballkan. Po pse Serbia do që të riforcojë pozitat e Salih Berishës në këtë kohë, kur ajo kishte investuar miliona dollarë për ta përmbysur më 1997, si dhe kishte ndihmuar Edi Ramën të vite në pushtet më 2013? Dhe përgjigjia më e drejtpëdrejtë që mund të dalë lidhet me thirrjet e vazhdueshme të Salih Berishës për përmbysjen e pushtetit me revolucion, pra me dhunë,  e që do ta destabilizonte shtetin shqiptar dhe do ta paaftësonte atë për ballafaqime rajonale, edhe si vend i NATO-s. Së dyti, do që të forcojë më shumë dëshirën e shqiptarëve për referendum për bashkim të Kosovës me shtetin shqiptar, sipas logjikës kundërshtuese ndaj deklaratave të Serbisë, përkatësisht si demonstrim i të kundërtës së asaj që thotë Serbia: nëse Serbia thotë se çështja e bashkimit të Kosovës me  shtetin shqiptar është zhdukur me largimin e Salih Berishës, të dalin shqiptarë dhe të thonë: Jo nuk është zhdukur çështja e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar me rënien e Salih Berishës, por ajo ekziston se ka të tjerë Salih Berisha që do e bëjnë këtë. Dhe në gjithë këtë do të fitojë terren sekta okulte e Albinit, e cila ka në platformën e saj pikërisht referendumin për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar. Kështu, nëpërmjet implikimit të Salih Berishës në çështjen e referendumit për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, të forcojë pozitat e sektës okute të Albinit, e cila tashmë është demaskuar keqas, sidomos pasi u kuptua se ka synuar dhe synon rrëzimin e Republikës, përkatësisht të shtetit të Kosovës.

3

Po a është e vërtetë se ideja e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar ka marr fund me largimin e Salih Berishës? Dhe a është e vërtetë se kjo ide ka qenë e lidhur me Salih Berishën? Ideja e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar nuk është ide që ka lindur me Salih Berishën dhe as nuk ka marr fund me rënien e tij, por është një ide që ka lindur që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe është burim frymëzimi për shqiptarët, të cilët kanë të drejtë të jetojnë në shtetin e tyre kombëtar. Si e tillë, ideja e bashkimit kombëtar është ide për korigjimin e padrejtësive që janë bërë ndaj shqiptarëve jo vetëm në shekullin e XX, por edhe në shekujt e mëparshëm, e që janë shoqëruar me masakra, gjenocide dhe spastrime etnike të shqiptarëve nga trojet e tyre. Dhe derisa të ekzistojë kombi shqiptar, ideja për bashkim do të ekzsitojë pavarësisht nga garniturat politike. Sa i përket Salih Berishës, ai nuk ka qenë kurrë bartës i idesë për bashkim kombëtar, as kur fliste për federatë shqiptare në Ballkan, as kur fliste për një komb e një qëndrim, sepse kur i ka deklaruar këto, nuk ka qenë në pushtet dhe nuk ka pasur asnjë mekanizëm për të realizuar diçka të tillë. Kurse kur ka qenë në pushtet, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar është angazhuar për hapësirë demokratike për shqiptarët jashtë shtetit shqiptar, përkatësisht për rikthimin e autonomisë së vitit 1974, e kur është rikthyer në pushtet, ka qenë në përputhje të plotë me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Bile Salih Berisha me përgjegjshmëri të madhe prej burrështetasi, në cilësinë e kryeminstrit nëpër shumë intevista, kur është shtruar çështja e bashkimit kombëtar, ka deklaruar se bashkimi do të bëhet në BE, dhe se hapja e kësaj çështeje në këtë fazë do të ishte e rrezikshme për shqiptarët dhe për tërësinë territoriale shqiptare në rajon. Pra, Salih Berisha nuk i ka dhënë kurrë zjarr çështjes së bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar, por ka mbajtur qëndrim të përgjegjshëm kombëtar. Por kjo nuk mund të thuhet për Edi Ramën, i cili erdhi me kartën e njeriut jonacionalist, që e deklaroi hapur gjatë vizitës së presidentit të Maqedonisë në Tiranë, dhe kaloi në një nacionalist që foli hapur për bashkimin kombëtar. Dhe është për ta pasur parasysh këtë, dhe për ta thkesuar fort: Drecun, pra Serbia nuk ia përmend tash këto Edi Ramës, dhe nuk ia atribuon atij idenë e referendumit për bashkim kombëtar, edhe pse e ka deklaruar disa herë, por ia atribuon Salih Berishës, i cili tashmë nuk është në pushtet. Edhe ky fakt dëshmon se Serbia është e interesuar shumë që te shqiptarët të krijojë opinione çfarë asaj i leverdis. Në rrethana normale, çdo shtet do ta vinte tehun e kritikës së tij në kryeminstrin në detyrë, i cili hapur ka folur për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, por e hesht këtë dhe kapet për një ish-kryeministër, i cili ka vendsur qysh më 2013 se nuk ka ambicie për të ardhur sërish në pushtet. Në rastin konkret, duhet thënë se Edi Rama ka bërë hapa të mëdha në forcimin e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Serbinë, ka realizuar disa marrëveshje duke e injoruar Kosovën dhe është në një vijë me Serbinë për dobësimin e pozitës së Kosovës në rajon. Vizitat e shpeshta të Edi Ramës në Beograd dhe anasjelltas, me gjithë aktrimin e bërë, që i kishte rrëzuar “Shljivovica” dhe këngët serbe të Ivica Daçiqit, nuk është se nuk kanë pasur ndikim në qasjen që shtete të caktuara kanë mbajtur ndaj Kosovës. Në këtë kuptim, megjithë faktin se ka deklaruar disa herë bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, Serbia nuk ia përmend, duke dëshmuar kështu se deklartat e tilla nuk janë në kundërshtim me strategjinë e saj për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në rajon.

4

Shqiptarët, edhe pse duhet të kenë kujdes që të mos bien në kurthet e luftës speciale serbe, ruse dhe të aleatëve të tyre për të destabilizuar rajonin në emër të bashkimit kombëtar, megjithatë duhet të jenë po aq të vëmendshëm dhe të përgatitur që të përfitojnë nga lëvizjet e të tjerëve në rajon. Ajo që dua të them, dhe që e kam thënë vazhdimisht është: shqiptarët nuk guxojnë të jenë të parët që hapin fazën e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pra të kontestojnë dhe rrëzojnë procedurat, parimet dhe rregullat e vendosura nga bashkësia ndërkombëtare, por po ashtu duhet të jenë të përgatitur që kur Serbia apo të tjerët të nisin një proces të tillë, shqiptarët të realizojnë bashkimin e vërtetë kombëtar. Kjo do të thotë se shqiptarët duhet të presin që këtë proces ta nisin të tjerët, në këtë rast serbët dhe kroatët, dhe pasi ta fillojnë ata, ne t’i pasojmë. Kjo është e njëjta rrugë si e procesit të pavarësimit: e nisën të tjerët dhe përfituam ne, e jo që ta nisim ne e të përfitojnë të tjerët. Përderisa nuk e fillojnë të tjerët, ne duhet të angazhohemi shumë ta forcojmë pozitën tonë në rajon dhe në botë, pra pozitën e shetit shqiptar, të Kosovës, të shqiptarëve në territoret shqiptare në Maqedoni, Kosovë Lindore e Mal të Zi. Interesi i shqiptarëve është që ky proces të shkojë me maturi, me kujdes dhe me llogaritje të saktë të çdo hapi që do të ndërmarrim, Interesi i shqiptarëve është që Serbia dhe të tjerët të bien ndesh me bashkësinë ndërkombëtare, e jo shqiptarët. Procesi i bashkimit është një proces që nuk mund të ndalet dhe nuk do të ndalet, por duhet të jetë proces i bashkimit të vërtetë kombëtar, e jo proces i ricopëtimit të terriotreve shqiptare. Këtë e ka pasur në mendje edhe presidenti Rugova kur ka folur për bashkimin kombëtar.