Edhe BE-ja i gëzohet thirrjes së parë të Kosovës me +383, Hahn: Urime!

02.02.2017 13:25:07

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn e ka përshëndetur sot thirrjen e parë të Kosovës përmes prefiksit të ri ndërkombëtar, +383.

Sipas tij, kjo vërteton se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po jep rezultate.

“Përshëndes thirrjen e parë telefonike të Kosovës me numrin e saj të ri +383. Kjo tregon se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësim të BE-së jep rezultate, hap pas hapi”, ka shkruar Hahn në llogarinë e tij në Twitter, përcjellë lajmi.net.

Post Telekomi i Kosovës ka realizuar të enjten, thirrjen e parë telefonike me kodin +383, duke vlerësuar atë si hapin e parë drejt zbatimit të marrëveshjes për telekomunikacionin të arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa tha se zbatimi i marrëveshjes së kodit shtetëror, bën identifikimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“Të gjithë e dimë që kemi tre kode në shfrytëzim, 377, 381 dhe 386. Me zbatimin e kodit të rigradualisht do të vjen deri tek eliminimi i kodeve tjera, për çka sot dua të jap një premtim publik që deri në fund të këtij viti kodi 381 për Kosovën nuk do të ekzistojë më”, tha Mustafa.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë theksuar në dhjetor të vitit të kaluar se pas më shumë se 5 vjet bisedimesh Kosova është bërë më Kodin e saj telefonik, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin. Marrëveshja u arrit në fund të vitit të kaluar, ndërkohë që kryeministri Isa Mustafa e cilësoi si një të arritur të rëndësishme sepse “me ndarjen e kodit telefonik ndërkombëtar forcohet sovraniteti dhe subjektiviteti i shtetit”.