Edhe Beogradi i angazhuar për imponimin e Kadri Veselit lider kryesor në Kosovë

04.05.2018 16:35:13

Nga Rexhep Kastrati

Ka kohë që korpusi medietik kundër LDK, e sidomos e Beratit të Bashorit dhe e Batonit janë lshuar në një fushatë afirmative për Kadri Veselin, duke simuluar një fushatë kundër Thaçit.

Në politikë, po ashtu, ka një angazhim që të afirmohet Kadri Veseli si lider kryesor politik dhe institucional në Kosovë.

Ka disa muaj që Kadri Veseli nuk është atakuar as nga mediet, as nga politika, por gjithë vëmendja është prëqendruar te Hashim Thaçi dhe të Ramush Haradinaj.

Mirëpo, nëse korpusi medietik kundër LDK dhe politika po bën fushatë afirmative për Kadri Veselin, përkatësisht nuk atakohet nga politika dhe mediet, medie të Serbisë të lidhura me Vuçiqin dhe të tjerë, kanë filluar një fushatë afirmimi në kah të kundërt: atë të sulmeve kundër tij gjoja terrorist, gjoja persona kyç të UÇK-së etj.

Në fakt, mediet serbe dhe aparati shtetëror serb tradicionalisht ka ndjekur një rrugë të këtillë afirmimi për linjën e Tiranës/Kretës dhe për rekurtët shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare.

Të kujtojmë se në prag të Konferencës së rambujesë më 1999, gjykatat në Serbi shpallën dënime drakonike ndaj Hashim Thaçit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit të UÇK-së në Rambuje, si mënyrë për imponimin e tyre si liderë.

Kjo rrugë vazhdoi pas luftës kur Beogradi nëpërmjet Rada Trajkoviqit thoshte se punët i kanë keq me djemtë e luftës e jo me LDK-në.

Edhe në rastin e marrjes së Qeverisë së Kosovës nga LDK dhe kryeministri Mustafa, politikanë dhe medie serbe filluan një fushatë për ta paraqitur kryeministrin Mustafa si të përshtatshëm për Serbinë.

Koha ka treguar se të ashtuquajturit djemtë e luftës, ndërkaq, u bënë partnerët kryesorë të Serbisë në çdo fazë të proceseve në Kosovë, e jo vetëm në Rambuje, kurse personalitetet e LDK-së dhe vetë kjo parti u përballën me fushata të ashpra deri në rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, nuk është për t’u theksuar fakti se mediet serbe përpiqen të imponojnë liderë në Kosovë, por koha kur po ndodh kjo fushatë për Kadri Veselin, e që është kohë kur vendi gjendet në një situatë socio-politike inerte dhe me mosfunksionalitet në kapacitete të plota të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera të shtetit, e që mund ta çojë vendin në zgjedhje.

Po ashtu, ka rëndësi fakti, se sikurse fushatat tjera mediale dhe të luftës speciale janë bashkërtenduar me korpusin medietik kundër LDK.

Të kujtojmë bashkërednimin e fushatës kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa, e që ishte një nga fushatat më të egra, më të fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse të faktorëve politikë, medialë dhe të shoqërisë civile, e që rezultoi me realizimin e qëllimit të përbashkët: rrëzimin e asaj qeverie.

Dhe si zakonisht në ballë të këtij bashkërendimi qëndrojnë pikërisht medie dhe portale të afërta me PDK-në dhe Kadri Veselin, e të cilat fushatën mediale në Serbi e ambientojnë në Kosovë.