Edhe Bill e Hillary Clinton do të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit

03.01.2017 21:24:03

Hillary Clinton do ta shikojë nga afër betimin e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas New York Magazine, Clinton do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial më vonë këtë muaj me bashkëshortin e saj, ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

Hillary Clinton, së cilës i është rezervuar një vend në rreshtat e parë në ceremoninë e inaugurimit, është mundur nga Trump në garën presidenciale, një rezultat që shumica e ekspertëve politikë nuk e kishin paraparë, transmeton Express.

Është e zakonshme që ish-presidentët të marrin ftesa për ceremoni shtetërore – Clintonëve do t’i bashkohen edhe ish-presidenti George W. Bush, me bashkëshorten e tij, Laura, dhe ish-presidenti Jimmy Carter, me bashkëshorten e tij Rosalynn.

Ish-presidenti George H.W. Bush nuk pritet të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit, për shkak të shëndetit të dobët.