Edhe dy fjalë për të njohurin tim të vjetër, Milazim Krasniqin!

25.12.2016 17:38:22

Nga Rexhep Kastrati

Milazim Krasniqi, nëpërmjet një shkrimi që e quan “Sqarim të njohurit tim të vjetër, Rexhep kastratit”, është munduar të reagojë ndaj reagimit tim “Milazim, pse po përpiqesh t’i mbrosh ata që kanë për detyrë t’i realizojnë planet e Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës?”, e i cili ishte reagim ndaj shkrimit të tij, “E vërteta e ndarjes së Mitrovicës”. Në këtë reagim, Milazimi mundohet të sqarojë se me shkrimin e tij synonte të paraqiste angazhimet e Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës në kontekst të negociatave të Vjenës, të paraqitura në librin e Marti Ahtisarit “Detyra në Beograd”. Mirëpo, edhe pse unë nuk e kam kuptuar kështu, megjithatë edhe po të ishte kështu, do të ishte jo e bazuar as teorikisht, as politikisht dhe as praktikisht një qasje e tillë selektive, sepse angazhimet serbe dhe ruse për të cilat ka shkruar Ahtisari, kanë qenë angazhime që janë bazuar në një realitet në terren: ndarjen e Mitrovicës dhe krijimin e enklavave, pra në ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, që është kryer më 1999. Në fakt, teza kryesore që Milazimi ka shtruar është teza e kundërshtimit të përgjegjësisë së shqiptarëve për ndarjen e Mitrovicës, përkatësisht paraqitjen e mazohizmit si vetëfajësim të shqiptarëve për këtë ndarje, e që e ilustron me shembullin e Agripës, që nuk ka asnjë analogji me të vërtetën e ndarjes së Mitrovicës, pikrësisht për shkak të implikimit të thellë të linjës së Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste në procesin e ndarjes së Kosovës më 1998-1999. Tash nuk po bëhem si Milazimi dhe të përmendi këtu dhjetra apo qindra shkrime të ndryshme që i kam botuar gjatë 18 viteve dhe ku kam trajtuar çështjen e ndarjes së Kosovës mbi baza etnike, por ajo që duhet ta përsëris këtu ka të bëjë me faktin se procesi negociator i Vjenës në krye me Ahtisarin nuk është një proces i izoluar, por është vazhdimësi e procesit të ndarjes së Kosovës më 1999. Është kështu për faktin se në aspektin diplomatik – procedural, negociatave të Vjenës u kishte paraprirë Raporti i Kai Aides i vitit 2005, me të cilin i jepej drita jeshile fillimit të negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe i cili kishte dhënë legjtimitet ndërkorkombëtar strukturave paralele serbe në Kosovë, dhe ishte bërë bazë për formulimet e parimeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Dhe Raporti i Kai Aides bazohej në gjendjen reale në terren, pra në realitetin e një Kosove të ndarë mbi baza etnike të kryer më 1999. Pra, negociatat e Vjenës kanë qenë të paraprira nga të gjitha këto zhvillime, e edhe angazhimet e Serbisë dhe të Rusisë kanë qenë thjesht angazhime për maksimizimin e kësaj ndarjeje, pra të ndarjes përfundimtare të Kosovës. Dhe të përdorësh argument këto angazhime për të marrë përsipër të tregosh ” të vërtetën e ndarjes së Mitrovicës” jo që nuk qëndron, por është një qasje aq jokritiko-racionale, aq e pabazuar në fakte, sa nuk ka ku shkon më tej. Dhe kur kësaj t’i shtohet edhe përgjithësimi i kësaj për të paraqitur shqiptarët mazohistë që fajësojnë veten për ndarjen e Mitrovicës, atëherë kjo nuk ka si të shpjegohet ndryshe pos si përpjekje për të mbrojtur përgjegjësit shqiptarë për realizimin e planeve të Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës, e që janë linja e Tiranës/Kretës dhe linja udbasho-jugosllavokomuniste. Natyrisht, meqë Milazimi më ka konsideruar të njohur të vjetër, dua të them se kur kam bërë reagimin tim, kam pasur parasysh edhe pozitën e tij gjatë viteve, pra edhe gjat vitit 1999, kur edhe është realizuar ndarja e Kosovës mbi baza etnike, por përsëri nuk kam dashur që ta paraqes si të vërtetë të konfirmuar faktin se pikërisht në atë kohë, pra më 1999, Milazimi kishte braktisur për arsyet e tij, linjën institucionaliste të presidentit Rugova dhe kishte në pozicione të ndryshme apo të kundërta me të, si arsye të përpjekjeve të tij për ta paraqitur ndarjen e Mitrovicës si pasojë të angazhimeve të Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës, në kontekst të negociatave të Vjenës. Së këndejmi, me gjithë mirëkuptimin që vjen edhe nga reagimi i tij korrekt, edhe pse i paqëndrueshëm në kontekst të temës së shkrimit të tij të parë dhe në kontekst të reagimit tim, mund të them në fund se teza të tilla si mazoheizmi, apo mohimi i përgjegjësisë së shqipfolësve të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomniste për përfshirjen e tyre në zbatimin e planeve të Serbisë dhe të Rusisë për ndarjen e Kosovës, janë të paqëndrueshme dhe të rrëzueshme në mënyrën më të lehtë të mundshme, ashtu siç kam bërë edhe në reagimin e parë, por edhe në dhjetra dhe qindra shkrime të natyërs socio-politike, gjeopolitike e gjeostrategjike të botuara gjatë 18 viteve.