Edhe Haraçina ka nevojë për ndihma, nëna me tre jetimë flen në baltë (Video)

14.08.2016 19:48:18

Këto që po shihni janë gjërat e pakta që kishte familja Jonuzi nga Haraçina, të cilat u detyruan t’i hedhin për shkak se u dëmtuan nga vërshimet.

Fatbardha Jonuzi me tre fëmijët e saj, prej të cilëve dy janë me nevoja të veçanta, po pastrojnë vetë oborrin e tyre ashtu siç kanë pastruar shumicën e baltës dhe ujit që ka kapluar shtëpinë e tyre. Kryefamiljarja e mërzitur, rrëfen se askush s’erdhi për t’i ofruar ndihmë.

“Meqë jam me jetimë, fqinjët dhe bashkëfshatarët na bien gjëra. Tjetër kush asgjë.

G:A ju ka ndihmuar dikush për të pastruar?

Jo, vet kam filluar. Vet kemi pastruar, vet kemi hequr ujin, baltën gjithçka vet”, tha ajo.

Shtëpia e kësaj familje katër anëtarëshe, 8 ditë nga vërshimet, ende është përplot baltë dhe kundërmon. Edhe pse e pabanueshme, zgjedhje tjetër ata nuk kanë. Nëna me tre fëmijët, thotë se s’ka ku të shkoj tjetër, andaj është e detyruar që edhe pse në kushte jo-higjienike të rri në pronën e saj. Ngjit me shtëpinë e tyre, jeton xhaxhai i tre fëmijëve Nazifi. Ai thotë se vetëm fshatarët kanë bashkëndje me familjen e vëllait të tij të ndjerë, dhe u kanë ndihmuar atyre privatisht.

“Shteti si shtet, nuk është interesuar për ne që 7-8 ditë. Kryetari I Komunës ka qenë për të na vizituar, dikush nga bashkëfshatarët na kanë ofruar ndihma, gjëra për të ngrënë. Nga shteti skemi asgjë. Sikur po e shihni edhe vet“, theksoi ai.

Kryetari i komunës së Haraçinës, që është edhe kryetar i shtabit të krizës për Haraçinë, Brahim Ajvazi theksoi se familjes Jonuzi ashtu sikur edhe familjeve tjera të kësaj kategorie u është ndihmuar, por theksoi se ka mungesë të ndihmave për këtë fshat.

“Ne e kemi parasysh që të prioritet të kenë ato raste, dhe jo vetëm tani me këtë rast, por edhe më herët, çdo ndihmë që ka ardhur, ne I kemi pasur në listë që t’u ndihmojmë. Bëj apel që Haraçina ka nevojë edhe për ndihma edhe për gjëra të tjera. Për fat të mirë nuk është përfshirë i gjithë fshati por një pjesë e konsiderueshme. Mbi 200 shpi edhe këtu janë të dëmtuara“, u shpreh Ajvazi.

Ndryshe Shtëpia e familjes Jonuzi nga Haraçina, është ndërtuar katër vjet më parë fal ndihmës së banorëve të fshatit.

Ata kishin grumbulluar paret dhe ua kishin blerë një truall tokë, e më pas edhe e bënë me konak këtë familje katër anëtarëshe.