Edhe këtë vit u mbajt “Kampi Studentor Ballkanas” në Ankara, mbi 600 pjesëmarrës nga trevat shqiptare

20.03.2017 16:11:02

Për katër ditë radhazi, nën organizimin e organizatës joqeveritare “Besader”, në Ankara u mbajt takimi tradicional “Kampi Studentor Ballkanas”.

Ky takim i cili është i nënti me radhë, ka mbledhur 1100 pjesëmarrës, ku shumica prej tyre ishin studentë nga vendet e Ballkanit të cilët vijojnë studimet në nivelin bachelor, master dhe atë të doktoratës, në mbi 50 universitete të Turqisë.

Pjesë e këtij organizimi kan qen edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Malit të Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Bullgaria dhe Rumania.

Në kuadër të aktiviteteve që ishin organizuar gjatë këtij kampi, pati debate dhe panele ku u diskutua për lidhjet e këtyre vendeve me shtetin turk, bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, ku u theksua mbështetja e këtij vendi për studentët nga këto hapësira, në aspektin profesional dhe akademik.

Qëndrimi katërditor në kryeqytetin turk i mysafirëve nga Ballkani, u përcoll edhe me aktivitete sportive, rekreative e kulturore.

Vlen të theksohet se shumica dërrmuese e studentëve (rreth 600 sosh) – që janë përfitues të bursave shtetërore të cilat ndahen nga Qeveria turke – ishin nga trevat shqiptare, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës.

Ky kamp është mbështetur nga Ministria e Rinisë dhe Sportit të Turqisë, Agjencioni Shtetëror për Zhvillimin dhe Koordinim (TIKA), Fondacioni për Arsim – Maarif, Ministria e Arsimit të Turqisë dhe nga institucioni financiar “Katilim Ziraat”.

Në mbyllje të këtij aktiviteti mysafirët u nderuan nga organizatorët edhe me mirënjohje.