Edhe pse e tallën dhe e fyen në Kuvend, Mogherini thotë se Serbia e ka vendin në BE (Video)

03.03.2017 15:08:35

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini gjatë vizitës në Beograd tha se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Besoj se Bashkimi Evropian nuk është i plotë përderisa Serbia dhe shtetet tjera nga Ballkani janë jashtë familjes evropiane. Ky rajon ndodhet në zemër të Evropës. Historia e Evropës është shkruar në këtë rajon me shekuj”, deklaroi Mogherini në fjalimin e saj para deputetëve të Parlamentit të Serbisë.

Ajo tha se BE-ja kujdeset për Serbinë për shkak të tashmes dhe të ardhmes dhe se dera e BE-së për Serbinë gjithmonë do të jetë e hapur dhe se me padurim pret pranimin e saj në Union.

“Përderisa shqyrtojmë të ardhmen e BE-së, mesazhi im për rajonin është se e ardhmja nuk është e tillë se Evropa do të ketë 27 anëtare. Në vend të anëtareve që e braktisin BE-në do të vijnë të tjera, ndërsa njëra prej tyre do të jetë Serbia”, ka thënë Mogherini.

Ajo vlerësoi se rajoni po kalon në një moment delikat i mbushur me tensione etnike dhe se Serbia nuk është përjashtim.

“E di se është e vështirë. Vendimet tuaja janë të rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por për të gjithë Evropën. Roli i Serbisë është vendimtar jo vetëm për Serbinë, por për të gjithë ne. Ju keni një përgjegjësi të madhe në duart tuaja”, theksoi Mogherini

Ajo tha se ka një detyrë shumë të rëndësishme për Serbinë në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka qenë gjithmonë në udhëkryq të botëve, por ju nuk keni lejuar që t’u ngjitet etiketë. Identitetin tuaj është lindor dhe perëndimor dhe ju jeni unik. Unë shoh një punë shumë të rëndësishme për Serbinë në BE”, tha Mogherini, raporton Anadolu Agency.

Mogherini tha se Serbia javën e kaluar hapi dy kapituj negociues, ndërsa vitin e kaluar katër dhe është e vetëdijshme se qytetarët e Serbisë presin më shumë se kaq, por kjo është gjithmonë një efekt pozitiv në jetën konkrete të qytetarëve.

Deputetët e Partisë Radikale Serbe, të udhëhequr nga Vojislav Sheshelj brohoritën gjatë fjalimit të Përfaqësueses së Lartë duke thënë: “Serbia, Rusia. Nuk ka duhet neve BE-ja”, ndërsa deputetët e lëvizjes së krahut të djathtë “Dveri” në gjoks mbanin mbishkrime “Serbia nuk i beson Brukselit”.

Në seancën e Parlamentit morën pjesë edhe ministrja për Integrim Evropian, Jadranka Joksimoviç dhe kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.