Edhe pse u zgjodhën deputetë, 11 prej tyre synojnë karrigen e kryetarit të Komunës

02.09.2017 16:44:15

Morën vota të mjaftueshme për deputetë. Por, 11 nga 120 deputetët e zgjedhur të Kuvendit kanë vendosur që të sfidojnë veten edhe për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Lëvizja Vetëvendosje prinë me numrin më të madh të kandidatëve të cilët janë zgjedhur deputetë, por që do të garojnë për kryetar.

Kryetari aktual i Prishtinës Shpend Ahmeti, edhe pse ka marrë shumë vota për deputet, menjëherë pas zgjedhjeve ka liruar postin për të garuar sërish për të parin e Prishtinës.

VV ka kandiduar edhe deputetin Driton Çaushi për kryetar të Gjakovës, Faton Topallin për Ferizaj, Mytaher Haskukën për Prizren, Sami Kurteshin për Gjilan dhe Qëndron Kastratin për Kamenicë.

PDK kësaj radhe ka vendosur që në zgjedhjet lokale të garojë me emra të rinj. Vetëm dy nga ta janë deputetë të zgjedhur.

Nga PDK-ja për kryetar komune të Gjilanit do të garojë Zenun Pajaziti ndërsa për Ferizaj, Agim Aliu, të dy deputetë të zgjedhur.

Nga Nisma për Kosovën për kryetar komune të Prizrenit do të garojë Zafir Berisha, ndërsa Mimoza Kusari-Lila e cila është zgjedhur si deputete e koalicionit me LDK-në dhe AKR-në ka vendosur që të garojë në Gjakovë.

Edhe LDK-ja nuk ka kandiduar për kryetar të komunave ndonjë deputet të zgjedhur përveç në Prishtinë.

Partia e Isa Mustafës ka vendosur që kësaj radhe në Prishtinë të garojë me Arban Abrashin, deputet i zgjedhur dhe ish-ministër në Qeverinë Mustafa.

AAK-ja nuk ka kandiduar asnjë deputet për kryetar komune.

Fillimisht është përfolur se Daut Haradinaj do të jetë kandidat për kryetar të komunës së Deçanit, por AAK në këtë qytet do të garojë me Bashkim Ramosajn.