Edi Paloka: Në vend të arrestojë Tahirin, Rama sulmon opozitën

28.04.2018 20:32:12

Gjuha e ashpër me të cilën kryeministri Edi Rama sulmoi opozitën në Asamblenë e PS dhe etiketoi si “dështak” kreun e PD, Lulzim Basha nuk është “kapërdirë” lehtë në selinë blu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, sjellja e kryeministrit dhe etiketimet fyese sipas opozitës, janë dënuar nga deputeti demokrat Edi Paloka. Sipas tij në vend që të arrestonte Tahirin me kthimin nga Berlini, Rama mbylli javën duke sulmuar opozitën.

“Mbasi harxhoi gjithë javën duke sharë dhe sulmuar politikanët gjermanë, pastaj duke akuzuar e ofenduar muslimanët shqiptarë si ekstremistë që mund të shpërthejnë, Edi Rama e mbylli javën duke sulmuar sot për dy orë opozitën. Kur të gjithë prisnin që me kthimin nga Gjermania, Rama të hapte rrugë e të lejonte arrestimin e Saimir Tahirit për t’i hapur kështu rrugën Shqipërisë për në Europë, ai bëri të kundërtën”, shkruan Paloka.

Më tej ai thekson se “Rama tregoi se pranon të ndëshkohet Shqipëria, por kurrë Tahiri”.

“Arsyeja kuptohet dhe është e thjeshtë” dhe sipas Palokës është thënë madje dhe me gojën e Tahirit.

“Paratë e drogës nuk janë vetëm në xhepat e Tahirit por edhe në ata të Ramës”, thotë Paloka.