Edi Rama: Çadrës i dha jetë frika nga Vetingu. Synon të pengojë PS në zgjedhje

06.04.2017 13:09:57
Albania's Prime Minister Edi Rama, in a televised address in the capital, Tirana, on Friday.

“Çadrës nuk i dha jetë përpjekja për të garantuar zgjedhje më të mira, por frika nga Vetingu”.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij të mbajtur nga foltorja e kuvendit, duke shtuar se jo rastësisht bojkoti i PD nisi në javën kur kuvendi duhet të shqyrtonte ligjin themelor për reformën në drejtësi, Vetingun.

Sipas Ramës, kjo nuk është një përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por një përpjekje për të mos lejuar PS të hyjë në zgjedhje, sepse për PD konsiderohet kërcënim, si garancia e vetme e shqiptarëve për të mos u ndalur me zbatimin reformës në drejtësi.

“Bojkoti nisi jo rastësisht në javën kur duhet të merrej në shqyrtim procedura  e ndjekur dhe të vazhdonte me zbatimin e ligjit themelor për reformën, vetingu. Kjo nuk është një përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por një përpjekje për të mos lejuar PS të hyjë në zgjedhje. PS duhet ndaluar me çdo kusht të hyjë në zgjedhje sepse PS nuk përbën thjesht një kërcënim si fituesja më e mundshme e zgjedhjeve, por kërcënim si garancia e vetme e shqiptarëve për të mos u ndalur me zbatimin reformës, të tjerat janë propagandë. Frika nga drejtësia e motivon të gjithë këtë lëvizje të PD. Kjo nuk është një frikë e zakonshme, është një frikë e jashtëzakonshme që prodhon reagime të jashtëzakonshme. Dhe kur frika nga drejtësia ka një përmasë të tillë, ata që motivohen prej saj nuk e kanë problem  ta çojnë vendin në destabilitet, të çojnë deri në fund çdo përpjekje që e pengon shtetin të bëhet shtet, dhe e pengon popullin të realizojë një aspiratë kaq të madhe, për t’u çliruar më në fund nga një kastë gjykatësish të korruptuar, që janë të lidhur me çadrën si mishi me thoin”, deklaroi Rama.