EDI RAMA NUK KA NDRYSHUAR QËNDRIMIN E TIJ PËR DEMARKACIONIN

27.11.2017 18:59:48

Pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Korçë, dy kryeministrat, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, mbajtën konferencë për media, ku u pyetën edhe rreth Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, për çka dy kryeministrat kanë mendime të ndryshme.

Për herë të fundit kur ishin takuar Rama e Haradinaj, kryeministri i Shqipërisë i kishte thënë homologut kosovar se demarkacioni duhet të ratifikohet sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse takimi i sotëm nuk kishte të bënte asgjë me këtë çështje, Rama tha gjatë konferencës se ai nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij rreth Demarkacionit.

“Atë që e kam thënë Ramushi e di dhe ashtu besoj dhe e kam bindjen dhe nuk kam nevojë ta ripërseris”, është shprehur Rama.

Mbledhja e sotme mes dy qeverive është e katërta me radhë që është organizuar nga dy shtetet. Në këtë mbledhje të mbajtur gjatë festës së 28 Nëntorit, qeveria Rama dhe Qeveria Haradinaj nënshkruan 12 marrëveshje.