Edi Rama për Financial Times: Rusia i ka “vënë syrin” Ballkanit, BE të hapë negociatat

23.03.2018 17:08:54

Hapja e negociatave të anëtarësimit, është kthyer në një kërkesë që zë vend në çdo intervistë të kryeministrit Edi Rama në mediat me influencë ndërkombëtare.

Pasi për Politico deklaroi me bindje se Serbia nuk do të integrohet në Bashkimin Europian përpara Shqipërisë, Rama në një inetvistë për Financial Times, nuk e fsheh aspak entuziazmin për “reformat” e qeverisë së tij dhe kërkon shpërblimin e KE-së për punën e kryer.

“Do të ishte shumë e çuditshme nëse Shqipëria nuk do të fillonte menjëherë negociatat, pasi ka bërë ekzaktësisht çdo gjë që i është kërkuar të bëjë. Ajo që duam ne tani, është thjesht të shpërblehemi për atë që bëmë dhe që procesi të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm”, shprehet kryeministri.

E teksa bën thirrje për një strategji më efikase afrimi të BE-së me Ballkanin Perëndimor, Ram i rikthehet edhe njëherë “frikës” së shprehur edhe më parë për ndikimin rus në rajon. Ai thotë se “do të ishte çmenduri për Bashkimin Europian nëse do të dështonte të përfshinte rajonin, në qendër të rrugëve të emigracionit, të cilit ia ka “vënë syrin” Rusia si një çmim strategjik”.

“Moska asnjëherë nuk ka hequr dorë nga vlerësimi i rëndësisë gjeografike të rajonit, gjë që nuk shihet nga shumë në BE, me përjashtim të kancelares gjermane Angela Merkel. Është çmenduri të mendosh se Ballkani Perëndimor mund të lihet mënjanë, le pastaj jashtë Europe”, thekson ai.

Pavarësisht se debati për krimin e organizuar dhe koprrusioni në vend, zë pjesën më të madhe të ditës, kreu i qeverisë deklaron për Financial Times, se “Shqipëria ka punuar fort në luftën kundër krimit” dhe ka bërë progres mbresëlënës në uljen e kultivimit të kanabisit dhe numrit të vrasjeve.

Përsa i përket reformës në drejtësi, Rama thekson se “lufta kundër korrupsionit është një betejë e përhershme dhe rezultatet e para të vettingut po vijnë.

Lidhur me marrëveshjen me Greqinë për paktin e ri të detit, kreu i ekzekutivit nuk e fsheh optimizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda verës së 2018. “70 vjet histori nuk do të jenë më pengesë për rrugën drejt së ardhmes”, nënvizon ai.