Edi Rama thotë se do të themelohet Dhoma e Tregtisë Shqipëri – Serbi

14.10.2016 10:35:06

Edi Rama që po qëndron në Beograd në një Forum për çështje të sigurisë, i ka dhënë një intervistë të shkurtër Top Chanelit, ku është përgjigjur interesimit të këtij televizioni për dialogun dh epër çështje të ndryshme si Trepça, por edhe për marrëdhënet biznesore ndërmjet Tiranës dhe Beogradit. Nga këto përgjigje mund të kuptohet arsyeja kryesore e qëndrimit të Edi Ramës në Beograd, si dhe arsyen se përse serbët e duan atë ndëemjetësues ndërmjet Prishtinës dhe beogradit.

Kryeministri Rama: Unë besoj se është shumë pozitive, që është përcaktuar një raport, ku gjërat thuhen ashtu siç janë dhe është shumë pozitive, që sidoqoftë, tanimë e vërteta jonë e thjeshtë dhe e qartë lidhur me Kosovën rithuhet në Beograd, si një detyrim i patjetërsueshëm i kujtdo që flet shqip, pavarësisht se nëpërmjet anglishtes, në këtë vend. Nga ana tjetër, sigurisht që është e domosdoshme të vazhdojmë të ndërtojmë urën e paqes, të bashkëpunimit, të forcimit të ndërveprimeve, sepse tek e fundit, nga kjo përfitojnë njerëzit. Nuk duhet ta harrojmë në asnjë moment se njerëzve duhet t’u japim më shumë mundësi për ekonominë, për punësim, për ndërveprim dhe askush prej nesh nuk e ka një vend tregu që të jetë i mjaftueshëm për ambiciet dhe njëkohësisht për çfarë njerëzit meritojnë. Nga ana tjetër folëm edhe për disa çështje të tjera me kryeministrin, kryesorja çështja e zhbllokimit të ngërçit për interkonjeksionin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kam trajtuar me të edhe çështjen e UNESCO-s, kemi diskutuar edhe për shqiptarët në Preshevë. Më vjen mirë që është zhbllokuar dhe tashmë funksionon njohja e diplomave, një hap i rëndësishëm i kërkuar nga vet shqiptarët e Preshevës, që unë e ngrita këtu dy vite më parë dhe firmosëm një marrëveshje. Përgjithësisht mendoj se çdo takim, çdo komunikim është i vlefshëm, prandaj nuk i kuptoj kurrë ata që thonë: mos shko këtu, apo mos shko atje; mos tako këtë, apo mos tako atë.

TCH: Propozimi i zyrtarëve të Kosovës ishte pikërisht për shkak të Trepçës. Ju e përmendët Trepçën, por ishte gabim që erdhët? A mund të zgjidhet diçka me bisedime?

Kryeministri Rama: Unë mendoj se njerëzit duhet të bisedojnë edhe kur janë në pozicione diametralisht të kundërta. Kush është alternativa tjetër? T’i kthejnë kurrizin njëri-tjetrit? Çfarë zgjidhin duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit? Aq më tepër kur bëhet fjalë për palë, që janë të dënuara të bisedojnë, sepse janë të dënuar të bashkëjetojnë si dy fqinj që i ndan një mur.

TCH: Nesër do të ketë një takim të bizneseve kryesisht dhe do të flitet për ekonominë. Çfarë prisni dhe sa e rëndësishme është kjo?

Kryeministri Rama: Është shumë e rëndësishme, sepse krijimi i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Serbi, prezantimi i mundësive që sot Shqipëria ofron për sipërmarrësit e këtushëm, dhe mundësitë që sot Serbia ofron për sipërmarrësit e atjeshëm, krijimi i kushteve që sipërmarrësit të takohen me njëri-tjetrin dhe të mund të ndërtojnë nisma të përbashkëta, sjell vetëm gjëra pozitive për ekonominë reciprokisht, për lëvizjen dhe rritjen e hapësirës ku ne krijojmë zhvillim. Shqipëria është një treg i vogël, Serbia është një treg ndoshta pak më i madh, por përsëri shumë i vogël, dhe bashkimi i gjithë këtyre hapësirave për të ndërvepruar është një domosdoshmëri për secilin, interes i secilit. Nuk është se këtu po fiton njëri dhe po humbet tjetri. Këtu ose fitojmë të gjithë, ose të gjithë humbasim duke mos bërë gjërat e duhura. Nesër po ashtu janë edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore për të prezantuar përpara sipërmarrjes, por edhe publikisht, atë plan veprimi që ne e prezantuam si nismë tonën, i hartuar në bashkëpunim me BB-në dhe qeverinë serbe për të gjithë rajonin, për uljen dhe heqjen e sa më shumë barrierave tregtare, në mënyrë që këtu gjërat të funksionojnë. Neve duam që të shkojmë në Bashkimin Europian, por përpara se të bëhemi anëtarë të BE-së nuk na pengon askush që të sillemi si të ishim në BE me njëri-tjetrin, nga pikëpamja e rregullave, e kufijve etj.