Edi Rama zbulon mesazhin që mori pas bllokimit të Rinasit: Plan për të na kapur gafil

08.04.2021 11:50:11

Kryeministri Edi Rama ka fajësuar kundërshtarët e tij politikë për situatën në Rinas, duke shtuar se kjo ka bllokuar edhe ardhjen e vaksinave dje në vendin tonë.

“Shikoni çfarë ndodhi jo më larg se dje. U bllokua aeroporti i vendit, u bllokua ardhja e vaksinave dje. E gjithë nata, ka qenë një natë pa gjumë, për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste aty për të ardhur, sepse menjëherë mund të shkonte në një shtet tjetër. Nuk është një Pazar ku ti i thua ma mbaj mallin. Luftë për të mbajtur sasinë atje që të vinte në Shqipëri dhe të mos shkonte në një vend tjetër, dhe pastaj të prisnim 1 javë, 10 ditë pa vaksina.

Pse? Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aty mbrapa derës. Gati për tu rifutur në shtëpinë e secilit dhe për ta bërë rrumpallë nga e para. Janë gati të bëjnë atë që bënë. Një sulm çmendurak i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës, duke marrë peng aeroportin, duke bllokuar një aktivitet jetik të vendit, duke ndaluar mijëra shqiptarë, duke ndaluar edhe të vdekurit që të vijnë edhe të varrosen këtu”, u shpreh Rama.

Më tej ai theksoi se dje ka marrë një mesazh nga një qytetar nga Vlora, i cili kishte gruan me tumor dhe prej orësh priste në aeroport.

“Duke ndaluar lëvizjen e parasë, duke ndaluar edhe të sëmurët. Unë kam pasur dje mesazhe. Një mesazh nga një qytetar nga Vlora, i cili më thoshte kam gruan me tumor, jam në aeroport, kam nesër në mëngjes takimin e radhës me mjekët, dhe po humba takimin më duhet të pres një muaj. A e kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta, një plan i menduar me ditë, duke menduar se ne do kapemi gafil. Duke menduar se kontrollorët janë strukturë e posaçme që nuk zëvendësohen kollaj.

A e kuptoni sa pak e ndan këtë vend nga rikthimi mbrapsht në të shkuarën, që duket sikur është e shkuar dhe e harruar për sa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për ta rimarrë peng vendin, drejtësinë, shtetin, dhe për të shkatërruar ato që kemi ndërtuar. Nuk do ta lejojmë këtë. Siç e patë, nuk na kapën gafil, kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar për të bërë sfida të tilla. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, s’jemi pa të meta, kemi bërë gabime gjatë kësaj periudhe qeverisje, ama një gjë është e sigurt, kemi treguar që jemi e vetmja forcë karakteri në politikën shqiptare”, tha Rama.