Edon Haziri, dikur nxiste ikjet masive të stacioni i autobusëve, tash vëzhgues i VV-së në numërimin e votave

25.10.2017 12:55:01

Ju kujtohet militanti i Vetëvendosjes, Edon Haziri, i cili dilte te stacioni i autobusëve dhe jepte deklarata gjoja për largime masive të qytetarëve nga Kosova, si përpjekje për të krijuar përshtypjen se ata po ikin pas koalicionit të arritur ndërmjet PAN-it dhe AKR-së.

Haziri ishte dekonspiruar pas fjalimit banal që kishte mbajtur te stacioni i autobusëve. Më pas, në media i kishin rrjedhur disa fotografi me Albin Kurtin, të cilat ishin munduar të relativizoheshin në rrjete sociale nga aktivistët e tjerë, gjoja ai nuk është pjesë e Vetëvendosjes, por mund të jetë vetëm simpatizant.

Lëvizja Vetëvendosje ishte akuzuar se po qëndronte pas këtyre përpjekjeve të ulëta politike dhe si përfundim ato u ndaluan menjëherë pas dekonspirimit të aktivistëve të saj.

Por, tash kur kanë kaluar disa muaj prej këtyre ngjarjeve, i njëjti militant i Vetëvendosjes, Edon Haziri, ka marrë një detyrë të re prej Vetëvendosjes, mirëpo këtë radhë për t’u kujdesur për numërimin e votave të tyre si vëzhgues i Vetëvendosjes në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë Kosovë.

Lajmi.net ka siguruar një dokument protokollar nga kjo qendër, ku figuron edhe emri i Edon Hazirit, nënshkrimi dhe koha e hyrjes dhe daljes së tij nga QNR-ja.

Ky militant i Vetëvendosjes, bashkë me mashtruesen tjetër, Linda F., e cila jetonte një jetë mjaft luksoze në Gjermani, ishin bërë të “famshëm” si nxitës politik të shumë qytetarëve që t’ia mësyjnë stacionit të autobusëve në kryeqytet dhe të imigrojnë ilegalisht prej Kosovës.