Ekaterina Trendafilova emërohet kryetarja e parë e Dhomave të Specializuara

14.12.2016 15:38:55

Ekaterina Trendafilova u emërua Kryetare e parë e Dhomave të Specializuara.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin në faqen zyrtare të Dhomave të Spezializuara të Kosovës, përcjellë lajmi.net.

“Më 14 dhjetor 2016, Dr. Ekaterina Trendafilova u emërua Kryetare e parë e Dhomave të Specializuara. Pas rekomandimit të Panelit Përzgjedhës të pavarur, Autoriteti Emërues, znj. Alexandra Papadopoulou, shefe e Misionit të EULEX-it në Kosovë, emëroi zyrtarisht Kryetaren.

Kryetare Trendafilova (1953) është juriste, akademike dhe gjykatëse e shquar nga Bullgaria, me përvojë të madhe në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, të drejtës penale, të drejtës procedurale penale dhe të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

Nga marsi 2006 deri në mars 2015, Dr. Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN). Para detyrës si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo punoi si profesoreshë e drejtësisë penale në Universitetin e Sofjes, zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje dhe shërbeu si këshilltare eksperte për standardet e të drejtës penale dhe të drejtat e njeriut në Parlamentin, Gjykatën e Lartë dhe disa ministri të Bullgarisë.

Me rastin e emërimit të saj, Kryetare Trendafilova deklaroi: “Ndihem thellësisht e nderuar që u emërova Kryetare e parë e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm, në fillimin e veprimtarisë së Dhomave të Specializuara, kam privilegjin të kryej detyrën udhëheqëse që m’u besua. Jam e ndërgjegjshme se garantimi i zbatimit prej Dhomave të Specializuara të praktikave gjyqësore më të mira dhe i administrimit të drejtësisë në  mënyrë të drejtë dhe të paanshme si për ata që ngarkohen me përgjegjësi penale, po ashtu edhe për viktimat e krimeve që pretendohet se janë kryer, përbën përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam e përkushtuar që këtë detyrë ta kryej në mënyrë të pavarur, me vendosmëri, vrull e përkushtim të plotë. Është me rëndësi jetike që mandatin tonë ta zbatojmë në mënyrë efikase, profesionale dhe të sigurt.”

Kryetari i Dhomave të Specializuara është përgjegjës për administrimin gjyqësor të Dhomave të  Specializuara  dhe për funksione të tjera që i akordon Ligji. Kryetari gjithashtu kryen detyrën e kryegjykatësit të panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara.

Kryetare Trendafilova është emëruar për një mandat katërvjeçar i cili hyn në fuqi në janar 2017.