Ekipi i Formula 1 do t’i shpërndajë 10 mijë pajisje për frymëmarrje në Britani të Madhe

07.04.2020 18:30:53

Ekipi i Mercedes, Formula 1 do të fillojë këtë javë shpërndarjen e 10 mijë pajisjeve të reja të frymëmarrjes për Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS) në Britani të Madhe, për të ndihmuar në luftimin e coronavirusit.

Sipas mediave të huaja,pajisjet (CPAP) do të ndihmojnë pacientët që përballen me probleme në mushkëri të marrin frymë më lehtë.

Këto pajisje u zhvilluan nga një ekip inxhinierësh të Mercedes dhe atyre të University College London, si dhe nga një klinikë në Spitalin UCL.

Pas vlerësimeve të pacientëve në këtë klinikë dhe spitaleve të tjera në Londër, këto pajisje morën miratimin për prodhimin e tyre javën e kaluar.

Ndërkaq një urdhër për prodhimin e 10 mijë pajisjeve u lëshua nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani të Madhe.

Makineritë (CPAP) ndihmojnë që të mbajnë të hapura rrugët e ajrit të pacientëve, ndërsa shërbejnë për të rritur edhe sasinë e oksigjenit që hyn në mushkëri, duke shtyrë ajrin dhe oksigjenin në gojë dhe hundë, me një ritëm të vazhdueshëm.

Ekipi i Formula 1 me qendër në Britani të Madhe, po ndihmon gjithashtu edhe në prodhimin e mijëra ventilatorëve të nevojshëm nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në vend.