Ekonomia e shërbimeve

22.10.2016 12:37:51

Kosova po bëhet ‘oazë’ për biznese që ofrojnë shërbime në fushën e teknologjisë informative dhe konsulencës.

Tashme shumë kompani kosovare, krahas suksesit në tregun e brendshëm, kanë arritur të depertojnë edhe në tregun ndërkombëtar, duke kryer punë për kompani të mëdha botërore, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo i ka shtyrë institucionet të mendojnë për rregullimin e infrastrukturës ligjore në fushën e shërbimeve.

Vitin e kaluar është përgaditur Projektligji për shërbimet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe është paraparë që ky ligj të miratohet nga Kuvendi i Kosovës këtë vit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), shërbimet tregtare në vitin 2015 kanë qenë 341 milionë euro, në eskport 777 milionë euro dhe në import 436 milionë euro.

”Në vitin 2015 shkëmbimet tregtare në shërbime kanë qenë 341 milionë euro, ku prej tyre 777 milionë eksport dhe 436 milionë import. Një pjesë e madhe e shërbimeve vjen nga kategoria e shërbimeve të udhëtimit që kryesisht përbëhet nga diaspora, pastaj shërbimet e ndërtimit dhe shërbimet e tjera të biznesit”, bëjnë të ditur nga MTI-ja, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas informacioneve të MTI-së, ofrohen shërbime në fushën e ndërtimit si arkitekturë dhe inxhinieri, pastaj edhe shërbime në fushën e TI-së dhe shërbime të konsulencës.

Këto shërbime ofrohen nga ofruesit e shërbimeve qoftë individuale apo në emër te shoqatave apo kompanive profesionale.

Nëntë përqind rritje të Bruto Prodhimit Vendor

Sipas vlerësimit të përgjithshëm nga Banka Botërore, kontributi i shërbimeve në Bruto Prodhimin Vendor (BPV) është 73 përqind për vitin 2015, gjë e cila tregon për një rritje prej nëntë përqind nga viti 2004, vit kur kontributi në BPV ishte 64 përqind.

Ndërkaq, ish-drejtori në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, ka thënë për Gazetën Fjala, se Kosova më shumë duhet të fokusohet tek përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe të investojë në kapitalin njerëzor.

“Kosova më shumë duhet të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe të investojë në kapitalin njerëzor, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të përgatiten për eksportim të shërbimeve sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky është investimi më i arsyeshëm për rrethanat dhe karakteristikat e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Turizmi, sektori me më së shumti të ardhura

Bazuar në një raport të publikuar në muajin gusht nga Ministria Tregtisë dhe Inudstrisë, turizmi (udhëtimet) shihen si njëri nga sektorët që sjellë më së shumti të ardhura krahas sektorëve të tjerë. 181 milionë euro është shuma e të ardhurave nga turzimi, e pasuar nga biznesi dhe shërbimet profesionale me 23.7 milionë euro dhe shërbimet e komunikimit me 19 milionë euro.

Ndërkohë, Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë për Gazetën Fjala, se Kosova duhet të fokusohet paralelisht sikur tek fusha e biznesit, ashtu edhe te ndërmarrjet prodhuese.

“Shumëçka po varet prej specifikave të vetë komunave dhe vetë nevojave të kërkesës së tregut. Në këtë rast duhet të punohet paralelisht, si te fusha e biznesit dhe te ndërmarrjet prodhuese, ashtu edhe tek shërbimet e tjera siç është teknologjia informative”, thotë Rexhepi.

Më tutje, Rexhepi shton, se Kosova duhet të fokusohet tek teknologjia informative, pasi sipas tij, kjo teknologji ndërlidhet edhe me shërbimet e tjera.

“Kryesisht shteti duhet të fokusohet më shume tek teknologjia informative, meqënse këto shërbime ndërlidhen edhe me të gjitha shërbimet e tjera”,

Sipas Rexhepit, shteti duhet  të mbikqyr më shumë sektorët të cilët sjellin të ardhura, pasi sipas tij, sidomos tek sektori i udhëtimeve aty ku fitimet janë të mëdha, bëhet punë në informalitet.

“Shteti duhet ta rregullojë një ambient pa probleme dhe puna e bizneseve apo kompanive të ndryshme të jetë punë legale, pasi secilin sektor që sjellë të ardhura, shteti duhet të mbikëqyr edhe më shumë. Për fat të keq tek sektori i udhëtimeve ka shumë punë në informalitet”, ka thënë Rexhepi.