Ekskluzive: Ja si Azem Syla tjetërsonte prona në emër të të ashtuquajturës Ministri e Mbrojtjes (dokument)

24.03.2017 18:55:35

Nga Rexhep Kastrati

Përfundimi i luftës në Kosovë, u karakterizua edhe nga deliri i madhështisë i disa individëve që veten e quanin komandantë. Ky delir i madhështisë u shpërfaq në mënyra të shumta, por ajo që pat rënë në sy ka qenë prania e mbishkrimeve nëpër lokale dhe prona të ndryshme shoqërore, publike e shtetërore, si pronë e iks komandantit.

Forma e tjetërsimit të pronave është shpërfaqur edhe me dokumente që janë lëshuar nga të ashtuquajturat ministri të të ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme e Kosovës.

Një dokument, e që është një vendim i të ashtuquajturës Ministri e Mbrojtjes e të ashtuquajturës Qeveri e Kosovës, e të nënshkruar nga Azem Syla, është një dëshmi se si ishte tjetërsuar një servis në Prishtinë.

Me këtë vendim, Azem Syla kishte urdhëruar që lokali i servis “Prishtina” të administrohet nga një Këshill në krye me Sabit Zogajn, të cilit do të duhej t’i drejtoheshin ish-punëtorët e këtij servisi.

Pra, me këtë vendim, ishte tjetërsuar prona, kurse punëtorët e këtij servisi trajtoheshin ish-punëtorë, dhe përmendej një Këshill, sigurisht i caktuar nga Azem Syla.

Pra, ndërkohë që Kosova ballafaqohej me plagët e mëdha të luftës, me viktima të shumta, të cilët varroseshin e zhavrroseshin, me dëme të mëdha të luftës dhe me normalizimin e jetës, komadantët e ndryshëm në çdo formë dhe duke u fshehur mbrapa lloj-lloj mekanizmi të vetëkrijuar, uzurponin prona u ndryshonin statusin dhe pronarët etj.

Përveç këtyre, në këtë vendim vërehet se heqja e emërtimit Republikë, nga emërtimet e institucioneve të këtilla, është bërë shumë herët, e që është edhe një dëshmi se edhe mospërfshirja e emërtimit Republikë edhe në emërtimin e Forcave të Armatosura, është një vazhdimësi e dhe qëllim i kësaj linje.

Pra, emërtimi për të cilin u bënë demonstratat e vitit 1968, 1981, dhe për të cilin mijëra shqiptarë kanë vuajtur vite të shumta burg, janë sakatosur dhe syrgjynosur pa fund pa shpresë, siç do të thoshte Noli, ose nuk janë kthyer kurrë të gjallë në shtëpitë e tyre, është hequr nga ata që e quanin veten komandantë, që e quanin veten përfaqësues të UÇK-së dhe nga ata që në emër të tyre tjetërsonin prona dhe kërkonin lavdinë dhe madhështinë e çlirimtarëve.