Eksperti gjerman për Ballkanin analizon zgjedhjet në Kosovë: Kemi dy sfida

05.10.2019 18:01:27

Intervistë ekskluzive e DW me ekspertin gjerman për Ballkanin Bodo Weber në prag të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës

DW: Të dielën Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Çfarë vendoset në këto zgjedhje?

Bodo Weber: Është relativisht e vështirë të thuhet. Nga njëra anë, që kur dha dorëheqjen kryeministri aktual në detyrë, Haradinaj pati shumë polemika për shkakun e vërtetë të dorëheqjes. A ishte vërtet marrja në pyetje nga Gjykata e Hagës, apo ishte një manovër taktike për të dalë nga një koalicion i vështirë. Nga ana tjetër, pyetja është, se kush do t’i fitojë zgjedhjet? A do të kemi për herë të parë prej shumë vitesh një qeveri pa përfshirjen e PDK-së, siç kanë paralajmëruar përfaqësuesit e opozitës Sa i vështirë do të jetë formimi i koalicionit qeverisës? Si do të vazhdojë dialogu?

Cilt janë faktorët kryesorë që do të nxjerrin fituesin, sipas mendimit tuaj?

Qeveria e deritanishme ka punuar nën hijen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo i nxori në plan të dytë të gjitha temat e tjera politike. Veç kësaj marrëdhëniet mes qeverisë dhe presidentit ishin të rënduara për shkak të idesë së përqafuar për ca kohë prej tij dhe presidentit serb për ndërrimin e territoreve. Me këtë opsion të rrezikshëm ata kishin arritur të bindnin që nga zonja Mogherini dhe ekipin e saj në Bruksel, administratën e Trumpit dhe deri diku edhe pjesë të zyrës presidenciale në Paris. Kjo bëri që të krijoheshin dy fronte: partitë e tjera nga njëra anë dhe PDK-ja e presidentit Thaçi nga ana tjetër, e cila kishte një pozicion të paqartë dhe jo të qëndrueshëm ndaj idesë së ndryshimit të kufijve. Kështu që unë do të thosha, se janë zgjedhjet e para të jashtëzakonshme që nga pavarësia e Kosovës, ku është e vështirë të parashikohet, se cila parti do të dalë në krye. Edhe sondazhet duhen lexuar me  rezerva.

A parashikoni që të kemi një situatë si në zgjedhjet e kaluara, kur krijimi i qeverisë do të kërkojë kohë?