Ekspertja Galante diskutoi në Prishtinë për ‘lajmet e rrejshme’ dhe sigurinë kibernetike

16.06.2017 18:56:36

Gjatë ditës së premte në Prishtinë ekspertja Laura Galante prezantoi në Këndin Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës një sesion informimi për sigurinë kibernetike dhe hapësirën e informacioneve.

Galante foli edhe për trendin e “Fake News” apo lajmeve të rreme, që supozohet që ndihmuan në fitoren e presidentit të tanishëm të SHBA-ve, Donald Trump dhe u mbështetën nga Rusia. Disa web faqet me lajme të rrejshme janë denoncuar edhe së fundi gjatë fushatës elektorale në Kosovë.

“Është e rëndësishme që të kemi kujdes se çka shfletojmë në internet, çka ripostojmë dhe prej kujt e bëjmë atë. Ky hulumtim nuk i mbron vetëm të dhënat tona por edhe mendjen tonë”, tha Galante ndër të tjera.

 

Laura Galante analizoi se si shtetet përdorin hapësirën kibernetike, ose më saktë hapësirën tonë të informacionit. Ajo përshkruan një fushë ku ushtarakët, shërbimet e inteligjencës, grupet kriminale dhe individët ndjekin në mënyrë aktive interesat e tyre – me kufizime shumë më pak se sa në botën fizike.

Laura themeloi “Galante Strategies” në pranverën 2017 për të ndihmuar qeveritë dhe korporatat në njohjen dhe reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike dhe informative.

Ajo më parë ka shërbyer si Drejtoreshë e Inteligjencës Globale në FireEye ku ekipet e saj kanë hetuar aktivitetin e rrjetit, kanë profilizuar kërcënime të avancuara kibernetike dhe kanë portretizuar implikimet politike, ushtarake dhe financiare të operacioneve kibernetike. Në nëntor 2016 ajo foli në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi sigurinë kibernetike dhe paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ajo shpesh shfaqet dhe jep komente për CNN, Bloomberg, NPR, BBC, Fox News, The New York Times, The Financial Times, Wall Street Journal, Reuters, Associated Press dhe mediat e tjera globale dhe të industrisë.