Ekspozita që shpalos historinë e Kosovës (Foto)

10.02.2018 17:50:29

Shënimi i 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka vazhduar edhe sot në qendrën e Prishtinës, ku është hapur ekspozita “Rrënjët e shtetit”, derisa rreth 500 fëmijë ishin pjesë një karnavali.

Ekspozita kishte në fokus ballinat e mediave botërore, të cilat si referencë e kishin shtetin e Kosovës dhe periudhën 50 vjeçare,  prej 68-tës e deri në 2008-tën, Pavarësinë e saj.

Pamjet të cilat ofronin tablot e ekspozitave, ishin kryesisht nga historia e Kosovës, periudhat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe personalitetet e njohura që ndikuan në formimin e historisë.

Organizatorët e kësaj ekspozite, Ardian Arifaj dhe Adil Behramaj, anëtarët e këshillit organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë, e kanë ideuar dhe realizuar këtë projekt.

Ardian Arifaj, ka folur për idenë e këtij projekti, si vazhdimësi e aktiviteteve tjera në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë. Ai tha se është një mënyrë e re për shpalosjen e historisë dhe rrugëtimit të Kosovës.

“Emri i saj tregon më së shumti RRËNJËT E SHTETIT, tregon nëpërmjet ballinave të mediave ndërkombëtare 50 vitet e Kosovës nga viti ’68 me demonstratat e para, deri në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia e  Kosovës. I përfshinë të gjitha ngjarjet e rëndësishme edhe raportimin në botë për ato ngjarje. Është një mënyrë tjetër e tregimit të historisë, rrugëtimit të Kosovës ”, tha ai.

Gjithsej në sheshin “Skenderbe”, janë të vendosura  15 korniza me ballinat e medieve ndërkombëtare, kryesisht 110 pamje të Kosovës, nga protesta dhe lufta deri në paqe.

Këto tablo do të  jenë në shesh përgjatë 3 ditëve tjera, për të vazhduar me aktivitetet tjera pastaj në kuadër të 17 shkurtit.

Përndryshe, aktiviteti i parë për sot ishte karnavali i fëmijëve, ku morën pjesë më shumë se 500 fëmijë. Ky aktivitet kishte filluar në orën 13:00 dhe ka zgjatur 2 orë.