Ekspozohen fotot e rralla 60 vjet të fshehura në arka municionesh

31.10.2016 13:54:08

Marubi i Kolonjës

Kumbaro tregon telefonatën me të ndjerin Ben Malo: Si u gjetën 1000 negativët e Dhimitër Vangjelit

Rite, zakone, familjet e pasura e të varfëra të Kolonjës, gjeneralë, banda muzikore, zanatçinjë, portrete të ndryshme të jetës së një shekulli më parë. Këo foto të rralla të Dhimitër Vangjelit u ekspozuan dje në Ersekë, duke sjellë një dëshmi historike dhe të larmishme të Kolonjës. Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Ersekës, në qendrën e re të saj, të pranishëm ishin ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, kandidati i majtë për Bashkinë e Ersekës Ilia Stefo si dhe personalitete të tjera të politikës e artit. Zbulimi i thesarit të Dhimitër Vangjelit, siç theksoi edhe ministrja Kumbaro nisi pas një telefonate të ish-kreut të ndjerë të Bashkisë, Arben Malo dhe punës së bërë nga Qendra Kombëtare e Iventarizimit të Pasurive. “Përshëndetje, jam Ben Malo, Kryetar i Bashkisë së Ersekës. Mundem t’ju takoj për një projekt që do t’ju pëlqejë? ”Ky ishte sinjali i parë për thesarin e Kolonjës. Dhe që vetëm një njeri që ia di vlerën thesarit dhe ka pasionin dhe bujarinë për ta ndarë atë me të tjerët e kupton.. Më pas Silva Breshani, drejtoresha e Qendrës sonë të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, po atë ditë në ora 22.10.më dërgon një tjetër mesazh: “Ministre, ndodhem në Ersekë, në muzeun historik të Kolonjës. Kishim informacion që ekzistonin në muze negativë të artistit kolonjar Vangjel Dhimitër Prodani. Kërkuam vjet gjatë inventarizimit të muzeut po s’e gjetëm.

kultureTani gjetëm në një valixhe druri në gjendje shumë te keqe rreth 400 negativë pa inventar e pa regjistër. Tani konstatuam dhe një arkë të vjetër e të madhe municionesh po askush s’e hapte nga frika. Thonë që ka rreth 60 vjet që rri aty. Jemi këtu me Kryetarin e Bashkisë që na vuri njerëz dhe oficer policie në dispozicion dhe e hapëm. Dhe surpriza është e madhe. Gjetëm fondin e fotografive të Dhimitër Vangjelit. Jemi ende në muze e po i inventarizojmë. Besoj se mund të jenë rreth 1000 negativë. Një pjesë janë dëmtuar, por pjesa më e madhe janë një mrekulli. Unë mendoj se duhet t’i digjitalizojmë dhe pastaj të bëjmë një ekspozitë të vogël. Kryetari i Bashkisë është një mbështetje shumë e madhe dhe pasionant”, rrëfeu Kumbaro. Duke vlerësuar punën e bërë për shpëtimin e këtyre fotove nga arka e municoneve ku dergjeshin prej 60 vitesh, Kumbaro tha se tashmë edhe Kolonja ka Marubin e saj. Ndërsa zv.kryeministri Niko Peleshi tha se në këto foto dëshmi të së shkuarës takohet qytetaria, jo vetëm arti i fotografisë. “Një shekull më parë, duken edhe shenjat e varfërisë, po ka një ndryshim me ditët tona. Në çdo foto persoanzhet apo skenat ka edhe një përpjekje për tu dukur bukur dhe me estetikë të lartë. Ky është një mesazh që vlen edhe sot, sepse ka debat për çdo gjë që bëhet për të zbukuruar. Por edhe edhe para 100 vitesh estetika ka patur rëndësinë e saj”, tha Peleshi.
Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 08.09.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotograf. Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX. Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendas dhe të huaj, peizashe, etj.