Elbasan, goditet grupi kriminal me tritol dhe armë, 8 të arrestuar

07.02.2018 23:45:48

Policia e Elbasanit ka goditur mbrëmjen e sotme një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Nga informacionet paraprake dyshohet se janë arrestuar 8 persona dhe operacioni ka zgjetur 6 orë, me asistencën e FNSH-së dhe forcave Renea.

Personat e arrestuar raportohet të jenë nga Pogradeci e Gramshi, ndërsa ata janë kapur me bomba me telekomandë, mina me celularë dhe lëndë narkotike.

Dyshohet se në aksionin që drejtohet nga drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato është goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale që vepronte në këtë qytet.

Ndërkohë aksioni në fjalë vjen vetëm pak orë pas vizitës së Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku në Elbasan.

Kryeprokurorja kërkoi goditjen dhe hetimin në një mënyrë më efikase të së shkuarsë dhe së tashmes së personave me precedentë kriminale dhe me pasuri të dukshme ardhur në mënyre të paligjshme.