Elezi: Kujdes, sëmundjet e veshkëve janë heshtake

09.03.2017 09:53:32
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Ymer Elezi, kryetar i Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, flet për obvezitetin dhe sëmundjen e veshkës me rastin e ditës botërore të kësaj sëmundje.

Shoqata e Nefrologëve të Kosovës, e themeluar para 9 vitesh, sot shënon Ditën Botërore të Veshkës dhe Obvezitetin, me disa aktivitete.

“Aktivitetet do të fillojnë në shkollën fillore “Faik Konica” të Prishtinës duke pasur për qëllim që vetëdijesimi lidhur me rëndësinë dhe rolin e veshkave të fillojë që nga nxënësit, pastaj, në orën 10:00 hapet pika informuese në sheshin “Nena Tereza”- Prishtinë, me ç’rast qytetarëve do t’u shpërndahen fletë-palosje me përmbajtje sensibilizimi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të veshkave”, tha Elezi.

Gjithashtu, në orën 13:00, në QKUK mbahen ligjëratat me temën kryesore “Obesiteti dhe Veshka”.

“Mbipesha sot është një problem i thekësuar, në botë sot nga kjo sëmundje vuajnë mbi 600 milionë njerëz”, tha Elezi, për RTK.

Ai, tha se diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së veshkave është më se i domosdoshëm. Andaj, sipas tij, në funksion të informimit sa më të mirë të njerëzve, çdo vit shënohet Dita Botërore e Veshkave.

“Sëmundjet e veshkës janë heshtake, andaj duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe. Kategoritë që duhet mbrohen nga sëmundjet e veshkës janë ata që kanë shtypje të lartë të gjakut dhe diabeti. Mendohet që çdo i katërti që vuan nga diabeti është i sëmurë nga veshkat, por nuk e dinë, meqë e thashë që është sëmundje heshtake”, ka thënë Elezi.

Sivjet, dita botërore e veshkës po u kushtohet veçanërisht fëmijëve. Sipas Ymer Elezit duhet një vëmendje më e madhe nga prindërit për fëmijët, por gjithashtu kërkohet një vetëdijesim dhe kujdes edhe në shkolla e çerdhe.